TIRANE –Libri ‘Specialët-elita e Policisë Shqiptare’, u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s, tani studiues i çështjeve të policisë ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “Këtë libër e shkrova i motivuar e i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të të vërtetave për forcat speciale shqiptare. Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” nis sot publikimin e pjesëve të këtij libri që hedhin dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.
PJESA E PARË
Përse shkrova
Dëshirën për të shkruar për forcat speciale, elitën e Policisë shqiptare, e kam pasur të kahershme, por kisha vlerësuar se ende duhej kohë për publikimin e tyre në një format kaq të zgjeruar. Shumë fragmente shkrimesh i kam prezantuar me kohë, në forma të ndryshme, kryesisht si probleme analitike e trajtesa profesionale apo tregime policore e histori kriminale për ngjarje reale e të jetuara, ku shpesh kam qenë protagonist me fat që nuk kam pësuar ndonjë pasojë.
Tendenca dashakeqe për zhvillime deformuese dhe synime për të mohuar tinëzisht pjesë të historisë së Policisë në përgjithësi e të specialeve në veçanti më nxitën që në rrugën e hulumtimeve për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë të mos hezitoj të prezantoj, pa vonuar më tej, dokumente, fakte, prova, opinione e rrëfenja të protagonistëve të specialëve dhe personave që kanë pasur lidhje me atë strukturë. Preferova të shkruaj thjesht, realisht, pa pasion. Vlerësova që krahas dokumenteve arkivore e të shtypit të asaj kohe dhe analizave të tyre, të “flas” më shumë në këtë libër edhe me fjalët e protagonistëve, të cilët i çmova “dukatë” që nuk këmbehen me asnjë lloj monedhe tjetër. Nëse në disa fragmente kam zbukuruar fjalët dhe stilin e të shprehurit të tyre, kjo nuk do të thotë se shtova apo hoqa gjëra të pavlera. I kam qëndruar rigoroz thelbit të të vërtetave të jetuara, duke i përjetuar e përshkruar ato sikurse m’u treguan, njëlloj sikur të kisha qenë edhe unë pjesë e tyre, që në ditën e ideimit të krijimit të repartit. Kam shkruar me shumë dëshirë e respekt, madje me përulje për ata që i vunë emrin repartit të parë special, sambistët e oficerët, të cilët ishin dallëndyshet e një ere të re të zhvillimeve cilësore në Policinë shqiptare në përballjet dhe sukseset ndaj krimit që po sofistikohej dita-ditës. Këtë pohim lexuesi le ta kuptojë nëpërmjet shfletimit të librit.
U përpoqa të shënoj në libër e të prezantoj me fotografi sa më shumë emra të protagonistëve në vite, me dëshirën e mirë që të kujtohen e respektohen për sakrificat që kanë bërë në forcat speciale dhe në Policinë e Shtetit, por me gjithë përpjekjet e dëshirën time për t’i përfshirë këtu, nuk munda, mbasi pakujdesia në seleksionimin, administrimin e arkivimin e dokumenteve nga njëra anë dhe mungesa e solidaritetit e më keq akoma mungesa e mbështetjes dhe e bashkëpunimit nga persona që mund të më ndihmonin nuk kanë qenë të duhura, për të mos thënë dashakeqe. Gjithsesi, jam i qetë shpirtërisht se këtu nuk mungojnë emrat e dëshmorëve e të plagosurve, të cilët i dhanë heroikën repartit special; këtu është lista e medaljeve dhe e dekoratave të repartit, shpërblim i merituar i gjakut, mundit e sakrificave sublime në shërbim të komunitetit; këtu prezantohen personazhe që shkruan histori, ata që e nisën nga “hiçi” apo të tjerë që përshkuan “tunele pa dritë”. Këtu nuk janë anashkaluar apo harruar ngjarjet më kulmore në historinë e forcave speciale, evoluimet e stadet e rrugëtimit të repartit të parë, i emërtuar “326”, më pas “88”, i cili u shndërrua në “RENEA”. Historia e këtij reparti plotësohet me personazhe që morën emër në shërbime “misterioze”, me individë që i rriten krenarinë, deputetë e drejtues të shumtë, biznesmenë të suksesshëm, sportistë e trajnerë të shquar të sportit shqiptarë. Librit i shtojnë vlerat edhe opinionet, vlerësimet e kujtimet e disa drejtuesve të lartë të dikasterit blu e të Policisë së Shtetit.
Për lexuesin e interesuar dhe për personazhet e protagonistët e forcave speciale kam detyrimin të sqaroj se përse shkrova këtë libër në këtë kohë. Shkurt e qartë, nëse do të shkruhej më vonë mbase do të kishte qenë më mirë, sepse do të kishte më shumë informacion, mbasi me kalimin e kohës do të deklasifikoheshin shumë informacioneve që kanë lidhje me forcat speciale, të cilat edhe mund të publikoheshin.
FILLESAT
Është e kuptueshme se sa më shumë afrohemi në kohë, emri i forcave speciale bëhet më i dëgjuar, por kurrsesi roli i tyre nuk mund të pranohet se ka qenë më i pakët në vitet e pragtranzicionit apo më herët. Edhe këtë pohim lexuesi do e kuptojë kur të njohë përmbajtjen e librit, por mua nuk më ka preokupuar ky problem që guxova e shpejtova të shkruaj, por shtrembërimi me dashje apo nga padija e të vërtetave për historinë e forcave speciale shqiptare, gjë që më “revoltoi”, ndaj në paraditen e datës 12 nëntor 2011, mblodha të gjitha fuqitë, risolla në kujtesë sa kisha lexuar e vijuar duke shkruar në historikun e repartit nr. “326” e atij nr. “88” dhe shkrova me ngut, mbase edhe me ndonjë gjë për t’u korrigjuar. Materialin e titullova “Deformim historik pa dashje apo për qëllime politike!?”, me përmbajtjen në vijim: Më 11 nëntor 2011 mora pjesë me gëzim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në repartin special “RENEA”, në Tiranë. Organizatorët meritojnë lavdërim për ceremoninë dhe përfitimin me meritë, por edhe të ligjshëm, të dekorimit të repartit nga presidenti i Republikës. Po kështu janë shumë të respektuar për gjetjen e rastit që të grumbulloheshin veteranë dhe të rinj të atij reparti elitë të Policisë, por që në asnjë çast nuk u panë të bashkuar apo të bënin një foto të përbashkët për kujtim, së paku gjithë ish-komandantët me komandantin e nderuar, aktualisht në detyrë, mikun tim, Luigjin. Aq sa u prezantua dhe u fol u kuptua se bëhej fjalë për një datë të krijimit të repartit “RENEA”, para 20 vitesh, por që në thelb ka një deformim dhe mohim të vlerave të atij reparti të shquar. Nisur nga kjo nuk munda të hesht, për më tepër se u bënë mbi dhjetë vjet që hulumtoj pa reshtur në arkiva e në Bibliotekën Kombëtare për të vërtetën e rrugëtimit të dikasterit blu dhe të Policisë Shqiptare nga viti 1913. Dokumentet flasin ndryshe për historikun e këtij reparti. Me qëllim sqarimin e plotë dhe të saktë të këtij deformimi historik po sjell në kujtesën e lexuesve se krijimi i këtij reparti ka pasur lidhje me rrethana që ndodhen brenda e jashtë Shqipërisë.
Fillimisht duhet kuptuar se historia ushtarake (jo ajo policore) shënon veprimtarinë e forcave speciale në të gjitha sistemet ekonomiko-shoqërore, ndërsa në historinë e policisë së vendeve moderne ato përmenden për herë të parë pas aktit terrorist të organizatës “Shtatori i Zi”, në Lojërat Olimpike të Munihut, në vitin 1972, kohë kur peshëngritësi shqiptar, Ymer Pampuri ia “bëri fora”, duke fituar medalje olimpike. Debatet që shoqëruan atë masakër, cilësuar terrorizëm modern, të 5 shtatorit 1972, ku u vranë fillimisht dy nga atletët më të dëgjuar izraelitë dhe u morën peng tetë të tjerë, në Evropë shtroi domosdoshmërinë e krijimit të njësive taktike speciale policore për shtypjen e terrorizmit. Masakra që vijoi me pengjet e tjera ishte shprehje e teknikave e taktikave ushtarake në zgjidhjen e situatave me pengje, çfarë sjell kurdoherë pasoja për jetët njerëzore. Gjermania ishte e para që e pësoi në opinionin publik disfatën e turpshme në të gjitha rrafshet, ndaj nga pësimi u bë “nismëtare” e krijimit të njësive speciale antiterroriste. Emërtimet e këtyre reparteve morën kode të ndryshme në vende të ndryshme, si: “GSG-9”, “GEK”, “NOCS”, “RAID”, “MAT”, “KOBRAT”, “TIGRAT”, “Shqiponjat e Zeza”, “Luanët” etj. Të parët që organizuan këto njësi, krahas Gjermanisë, kanë qenë Anglia, Austria, Franca, Izraeli, pa dyshim edhe rusët që shquheshin për cilësinë e lartë të forcave speciale “ALPHA” e atyre ushtarake “SPECNAZ”, sikurse edhe marinsat grekë e anglezë. Ndonëse i papërfshirë në traktate apo pakte ushtarake, i paangazhuar në nisma apo rajone për problemet e sigurisë, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, që ndiqte me investime kolosale zhvillimet politiko-ushtarake në botë e veçanërisht në rajon, nuk qëndroi prapa të tjerëve në luftën kundër terrorizmit.
Do të kalonin rreth 10 vjet nga akti terrorist në lojërat olimpike të Munihut, kur qeveria komuniste shqiptare, në mesin e vitit 1981, nxori aktin për krijimin e forcave speciale, në thelbin e të cilit përcaktohej: “…krijimi i repartit special i policisë, rezervë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”, repart i identifikuar me numër 326.
Ndryshe nga vendet e tjera që organizuan e krijuan struktura të tilla, me mision për goditjen e akteve terroriste, kalemxhinjtë shqiptarë nuk mund të pranonim një fenomen të këtillë në një vend socialist, ku trumbetohej demokracia, paqja, siguria, qetësia etj. Ata qenë shumë të kujdesshëm kur cilësuan misionin “…për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”. Vlen të theksohet se përbërja e bërthamës së policëve elitë ngjasonte me ato të vendeve perëndimore. Reparti gradualisht u kompletua e u organizua në strukturë me pjesëtarë të grupeve të sulmit e mbështetjes, snajper, zhytës, mjeshtër të veprimeve në lartësi, pati pajisje mbrojtëse e ndërhyrjeje, teknikë fluturimi e lundrimi të shpejtë, aparate vëzhgimi e njësi antieksplozivi e mbrojtje kundërkimike (municionet lakrimogjene).
DETYRAT KONKRETE
Në historikun e këtij reparti special të policisë është shënuar se detyra e parë e vështirë është kryer në muajin maj 1982, kur specialët u aktivizuan krahas shërbimeve të tjera në sigurimin e normalitetit në Kongresin e IX të Rinisë Shqiptare. Në periudhën 31 gusht-21 shtator 1982, pra deri katër ditë para se të zbarkonte banda e Xhevdet Mustafës, reparti special u aktivizua në shërbime sekrete në bregdetin shqiptar, kryesisht në bregdetin e Ishmit dhe të gjirit të Durrësit, rajoni i Golemit, në pritje të kapjes së të ashtuquajturit “grup terrorist i Xhevdet Mustafës”, shërbim i cili u mbyll më 25 shtator, kur me urdhër të eprorëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në orën 09:30 të kësaj dite, grupe speciale të repartit morën detyrë për të bashkëvepruar me struktura të Forcave të Armatosura për asgjësimin e grupit. Sot nuk është sekret (pas deklarimeve publike të agjentit të CIA-s, zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart), të shprehem se shoku im i shkollës, zbuluesi Orion Trebicka, ka qenë caktuar në atë shërbim. Në periudhën 1983-1990 reparti special i policisë nr.326 ka kryer detyra në bashkëpunim me shërbimet e tjera të policisë, kryesisht për sigurimin e normalitetit në veprimtaritë politike dhe përkujtimore të udhëheqësve komunistë, në festa e veprimtari kulturore e artistike në vend dhe garantimin e rendit në veprimtaritë sportive në disa rrethe me tifozëri të zjarrtë. Operacionet e para në arrestimin e personave të rrezikshëm, të cilësuar “me tendenca terrori” apo “autorë vrasjeje, keqbërës me rrezikshmëri të theksuar shoqërore” janë regjistruar fillimisht Caf Susta e Sali Breshni, në janar 1983, në Shkodër; më pas në periudhën mars-korrik 1984, përkatësisht në hotel “Arbëria”, në rrugën afër ndërmarrjes “Rruga-Ura”, në Tiranë dhe më vonë një tjetër në Lezhë. Viti 1986 shënoi “rekord botëror” në kohëzgjatjen e shërbimeve të specialëve, kur ata morën detyrë ruajtjen e mbajtjen të rrethuar të ambasadës italiane, ku ishin futur e strehuar një familje shqiptare, e fisit “Popa”. Aktivizimi në shërbim, në vitin 1988, në Zallbastar, për gjetjen e dy personave të vrarë dhe të hedhur në lumin e Tiranës, diktoi domosdoshmërinë e specialëve nënujorë. Viti 1988 regjistroi shërbime edhe në kapjen e personave të arratisur nga burgjet, sikurse ka qenë rasti i kapjes së disa personave të burgut të Tërnovës. Në serinë e shërbimeve në stadiume spikat dhuna e tifozëve më 5 qershor 1988, kur “plasi” në Kuçovë, asokohe “Qyteti Stalin”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipit vendas “Naftëtari” dhe ekipit të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo”, rast kur qindra vetë goditën me gurë, sfera, kushineta e sende të tjera të forta policinë, përfshirë edhe specialët e pranishëm, duke regjistruar të parin cenim të rëndë të rendit në stadiumet shqiptare. Në prillin e vitit 1988 u aplikua për herë të parë negocimi me persona të rrezikshëm, gjë e cila rezultoi e efektshme në zgjidhjen e situatave të ndërlikuara. Viti 1990 solli përballje të rrezikshme të specialëve me turmat.
Më 25-26 mars 1990 u shënuan konfrontimet në Kavajë, arrestimet e disa personave në stadiumin “Besa” dhe në qytetin e Kavajës, për të vijuar më pas me ngjarjet e 2 korrikut 1990 në Tiranë dhe me lëvizjen antikomuniste në të gjithë Shqipërinë. Në periudhën 11-13 maj 1990, reparti u caktua në shërbim në sigurimin e vizitës së Peres De Kuelarit, Sekretar i Përgjithshëm i OKB; në janar 1991, krahas shërbimeve të shumta reparti u ngarkua të zgjidhte situatën e krijuar nga revolta në burgun e Shënkollit, në Lezhë, ku pati disa të plagosur; më 22 qershor 1991, sigurimi i vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA, James Baker, në Tiranë; më 23 qershor 1992 u arrestuan në Fier (Libofshë) vëllezërit vrasës, Josif e Didbardh Çuka (të dy u dënuan me vdekje dhe u varen në qytetin e Fierit).
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)