Nga Aurora Golemi
TIRANË- Këshilltari personal i presidentit amerikan Donald Trump për sigurinë kibernetike Rudolf Giuliani ishte në Tiranë me ftesë të muxhahedinëve iranianë me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Giuliani e cilësoi si emocionuese praninë mes pjesëtarëve të opozitës iraniane, mbi 2 mijë prej të cilëve jetojnë në Shqipëri.

Ai garantoi rezistencën iraniane të udhëhequr nga Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit Maryam Rajavi, për ndryshimin e regjimit dhe krijimin e lirisë dhe demokracisë në Iran teksa ofroi ngushëllimet e veta për njerëzit që kanë vuajtur persekutimin e shtetit iranian, ndërsa luftonin për liri.

Guliani shprehu gjithashtu mirënjohje për qeverinë shqiptare, e cila ofroi strehim për grupimin më të madh opozitar iranian.

“Ky është një moment emocionues të jem me ju në Tiranë. Dua t’i shpreh mirënjohjen qeverisë shqiptare dhe gjithë partive politike. Ashtu si në Shtetet e Bashkuara edhe këtu në Shqipëri, partitë politike mendojnë se organizata juaj është për paqe dhe liri. Ju jeni e ardhmja e vetme për Iranin. Ju siguroj se ata që kanë humbur jetën në Iran në emër të lirisë nuk do harrohen. Organizata juaj drejtohet nga kjo grua, Marjam Rajavi, e cila është heroinë për mua. Mesazhi im për regjimin në Iran është ky: e ardhmja e tyre është në ferr. Politika e duhur në këto momente për Iranin do të ishte vetëm ndryshimi i regjimit. Do të ishte vetëm një vend që do doja të shkoja e që do më bënte më të lumtur se sot në Tiranë, ai vend do të ishte Irani!”, tha Giuliani.

Rudi Giuliani përcolli edhe një mesazh të presidentit Trump për muxhahedinët me rastin e Sulltan Nevruzit.
“Historia e Novruzit u shkrua në Iran, sot në Iran ka një regjim. Ne do bëjmë të pamundurën për t’ju mbrojtur shpresojmë, që iranianët të shohin dite të begata. Pavarësisht represionit ju po luftoni për të drejtat dhe lirinë tuaj”, u shpreh Giuliani.

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi në fjalën e saj tha se Europa duhet të njohë gjithashtu alternativën demokratike siç është Këshillin Ndërkombëtar të Rezistencës Iraniane.

“Gjatë këtij viti do të ketë angazhim të palëkundur për të vazhduar protestat drejt qëllimit kryesore. Europa duhet të njohë gjithashtu alternativën demokratike, p.sh. Këshillin Ndërkombëtar të Rezistencës Iraniane. Evropa duhet gjithashtu të braktisë politikat e vjetra të rivendosjes së marrëdhënieve miqësore dhe të njohë luftën e popullit iranian për të përmbysur këtë regjim. Festa e Sulltan Nevruzit për të cilën po luftojmë do t’i sjellë lumturi dhe shpresë kësaj shoqërie të varfër dhe të shtypur”, tha Rajavi.

Në sallë kanë qenë edhe Ministri i diasporës Pandeli Majko, deputetja Elona Gjebrea dhe kreu i partisë republikane Fatmir Mediu. Muxhahedinët kanë dëgjuar fjalën e ministrit të diasporës i cili u tha muhaxhedinëve se Shqipëria është atdheu i tyre i dytë.

“Para disa kohësh askush nuk e besonte se do t’ju hapeshin dyert këto në Shqipëri. Shqipëria është vendi juaj, është shtëpia juaj. Ne jemi këtu se ne besojmë që ka vetëm një Iran për të gjithë dhe kjo është e vërteta. Viti i ri është një ëndërr, unë ëndërroj të shkoj në Teheran dhe t’ju shikoj me familjet tuaja atje. Mos harroni se do ketë gjithmonë një atdhe të dytë për ju dhe kjo është Shqipëria”, tha Majko.

Ish-kryebashkiaku i New Yorkut Rudolf Giuliani ka pasur një sërë takimesh me politikanë shqiptarë gjatë këtyre ditëve në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb