TIRANË- Ish-Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim kortezie drejtues të projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, të cilët e kanë njoftuar se ndërtimi i projektit nis nga Shqipëria në muajin maj të këtij viti.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i TAP, Kjetil Tungland falënderoi Berishën me mirënjohje të thellë për mbështetjen dhe rolin thelbësor që ai ka luajtur në projektin e madh TAP dhe i ka prezantuar Drejtorin e ri të TAP Ian Bradshaw. Ish-kryeministri Berisha është takuar edhe me Drejtorin e Shqipërisë për TAP, Shkëlqim Bozgo.

“Ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të gjatë, por mbështetja juaj, ka qenë jetike për projektin TAP, ndaj dhe unë nuk mund të largohesha nga detyra pa ju shprehur mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin dhe udhëheqjen që kam pasur dhe me këtë rast po ju paraqes Drejtorin e ri të Përgjithshëm të TAP, Ian Bradshaw”, theksoi Tungland. “Përveç kësaj, është kënaqësi, t’ju njoftoj se ndërtimi i projektit fillon nga Shqipëria, në maj këtij viti”, tha ai.

Berisha falënderoi Tungland, për udhëheqjen e shkëlqyer që ai i ka bërë projektit nga fillimi deri tani, duke e shndërruar atë në një projekt që fitoi me meritë të plotë, në garën që u hap për gazin nga Kaspiku, një projekt ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, për furnizimin me gaz të BE dhe vendeve të rajonit.

“Interesi në rajon për projektin është shumë i madh dhe Shqipëria mund të bëhet një qendër e shpërndarjes së gazit”, theksoi Berisha. Ndërsa i uroi Drejtorit të ri, suksese në realizimin e projektit më të madh të kohës për Europën.‎

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb