TIRANE – Ish-kryeministri grek, Jorgos Papandreu, kreu i partisë më të re politike, Lëvizja e Socialistëve Demokratë, deklaroi dje për “Top Channel” se pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të rinegociohet. Papandreu foli dje në një lidhje telefonike, pak orë përpara zgjedhjeve të parakohshme që mbahen sot në Greqi. Sipas Papandreut, zgjidhja e marrëveshjes detare mes dy shteteve i shërben edhe Shqipërisë, edhe Greqisë. “Siç ju e dini, ka pasur një marrëveshje të bërë nga qeveria paraardhëse, e cila është ndryshuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ne shpresojmë që do të jemi në gjendje ta finalizojmë atë marrëveshje dhe të aplikohet nga të dyja vendet. Mendoj që këto çështje duhet të shikohet përsëri si një situatë fituese për të gjithë dhe jo si një situatë e pazgjidhshme. Nga pala greke kjo marrëveshje konsiderohet si e realizuar. Ka disa pika për të cilat kërkohet rinegocimi, por unë besoj që të dyja palët duke punuar bashkë mund të gjejnë një rrugëzgjidhje për këtë çështje, sepse në fund është në interesin e të dyja palëve që të jemi në gjendje të përdorim zonat tona ekskluzive ekonomike”, theksoi Papandreu.
Përsa i përket çështjes çame, ish-kryeministri Papandreu e ka quajtur atë një histori të dhimbshme për të dyja vendet dhe sipas tij, nuk duhen të ndizen flakët e dhimbjeve, por duhet mësuar prej tyre. “Së pari, kjo është një çështje historike, e cila ka qenë shumë e dhimbshme për të dyja palët. Gjëja e parë që ne duhet të bëjmë fillimisht është ajo, se ne nuk duhet të ndahemi dhe të krijohen shumë probleme dhe shumë dhimbje për të dyja palët. Tashmë jemi shumë breza larg asaj dhe duhet ta shikojmë nga këndvështrimi historik nën dritën e marrëdhënieve të reja shqiptaro-greke. Ne nuk duhet të ndezim flakën e dhimbjeve dhe plagëve të së shkuarës, por natyrisht duhet të mësojmë prej tyre, pra siç theksova, jo t’i hedhim zjarrit benzinë. Duhet të shohim edhe çështjet ligjore”, u shpreh Papandreu. “Nga eksperienca ime, Greqia gjithmonë ka thënë që këto çështje mund të dërgohen në Gjykatën e të Drejtave të njeriut, për të cilat Greqia ka qenë gjithnjë një zbatuese e rregullt e vendimeve të kësaj gjykate”, theksoi ish-kryeministri grek, Papandreu.
Zgjedhjet
Jorgos Papandreu, i njohur për politikat pro-shqiptare gjatë qeverisjes së tij, ka shprehur besimin se shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe që kanë të drejtë vote do ta mbështesin atë, duke premtuar se do vijojë të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve që jetojnë në Greqi. I pyetur lidhur me përgjegjësitë e tij për krizën greke, Jorgos Papandreu shprehet: “Unë isha ai që do menaxhoja krizën e krijuar nga qeveria paraardhëse, sepse ata na lanë me një deficit prej 50.6 %, pothuajse dyfishi borxhit që Greqia kishte. Gjithashtu, ata falsifikuan statistikat në mënyrë që ta mbulonin këtë gjë. Këto gjëra krijuan krizën. Sigurisht dhe me krizën e Eurozonës dhe atë botërore, të lidhura me krizën tonë. Por unë isha ai që duhet të paguante faturën e përgjegjësive të gabimeve dhe dështimeve të të tjerëve”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb