Ka ndodhur që Sigurimi i Shtetit të vëzhgonte e madje të përndiqte fshehtas edhe zyrtarin më të rëndësishëm të institucionit të akuzës. E vërtetë apo jo, kjo mbetet në ndërgjegjen e Rrapi Minos, ish- Kryeprokurorit historik të regjimit komunist, i cili në rrëfimin për “Panorama” pohon se një kohë të gjatë ka qenë i survejuar nga Forcat e Policisë Sekrete, vetëm e vetëm pse nuk kishte firmosur urdhrin e arrestit për sekretarin personal të Enverit. Fakti që ka qenë miku i këtij të fundit, i denoncuar për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër regjimit, kishte lëkundur jo vetëm besimin ndaj tij, por kishte ngjallur dhe dyshime të forta se Kryeprokurori mund të kishte qenë edhe bashkëpunëtor i agjentit të zbuluar rishtas në paradhomën e Enver Hoxhës, në selinë e Komitetit Qendror të Partisë.


Për herë të parë Mino e ka konstatuar se ishte vënë në vëzhgimin e organeve të Sigurimit, kur është thirrur në zyrë të Mihal Bishës, ishdrejtor i Kuadrit të KQ-së për të dhënë sqarime “konfidenciale” për atë që kishte ndodhur me Vahid Lamën. Interesimit të këtij të fundit shprehet ai, iu përgjigja zyrtarisht dhe aty për aty konstatova se dëshmia ime regjistrohej në një përgjues të fshehtë në tavllën e cigares që mbante mbi tavolinë. Që këtej, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij që më ndiqte këmba-këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Po si ka vazhduar më tej përndjekja ndaj Kryeprokurorit dhe si mundi t’i shpëtojë ai goditjes së frikshme…


Zoti Rrapi! Si u procedua në Prokurori për ndalimin e Vahid Lamës, në kohën kur ju refuzuat ta firmosnit urdhrin për arrestimin e tij?


Kërkesa për të firmosur urdhrin e arrestimit erdhi në zyrën time. Në fakt, ishte diçka që e prisja nga momenti në moment. Rregulli e donte që aty për aty duhej të firmosja. Sa e lexova, pa u menduar dy herë, ia kalova për ndjekje zëvendësprokurorit të përgjithshëm. Dhe ai e ndoqi si proces deri në fund…

Nuk ra në sy të autoriteteve kompetente kjo shmangia juaj nga ky proces, pa shpjeguar arsyet?

Megjithëse, siç e thashë, ma lejonte procedura që aktfirmosjen edhe mund ta delegoja pa dhënë shpjegime, nuk shpëtova pa u shigjetuar. Ishte diçka që e prisja në fakt. Sulmi nisi në heshtje si nga nëntoka. U futa në një bela të jashtëzakonshme. Kam përjetuar andralla për javë e muaj të tërë. E ndieja këtë në vështrimin e eprorëve politikë, në distancën që mbante ministri i Brendshëm dhe bashkëpunëtorët e afërt të tij, por edhe kolegët e Gjykatës së Lartë. Deri sa u mbyll procesi dhe Vahidi përfundoi në burg, unë e di me çfarë të papriturash jam përballur…

Pak e pabesueshme kjo, përballë atyre provave që i kishit dhënë regjimit në luftën kundër elementëve të papërshtatshëm me të?

E besueshme, e pabesueshme, kjo ka qenë e vërteta. Nuk më shkojnë për moshën dhe karakterin pozat e të përndjekurit. Po ja që kështu ka ndodhur. Deri atëherë, nuk më kishte shkuar në mëndje se do vinte një ditë që do më vinin aparatin e përgjimit dhe do më survejonin kudo që shkoja…

Kur thoni se ju kanë përgjuar, keni fakte, apo nisevijon nga numrat e kaluar ni nga përjetimet emotive të momentit…

Ta them me plot gojën që më kanë përgjuar. Bile më kanë përgjuar edhe në zyrën e Mihal Bishës, që atëherë ishte drejtori i kuadrit të Komitetit Qendror dhe një nga njerëzit më të besuar të Enverit…

Si e keni kuptuar që në zyrën e Mihal Bishës jeni përgjuar?

Unë, për eksperiencën që kisha në sistemin e drejtësisë dhe përvojën dyvjeçare në aparatin e Komitetit Qendror, njihja mirë jo vetëm teknikat e përgjimit, por edhe taktikat speciale që ndiqeshin ndaj elementëve të dyshuar…

Si e dalluat përgjuesin në zyrën e Mihal Bishës?

E dija më herët që në zyrën e Mihal Bishës bëheshin përgjime për raste shumë specifike. Bile, bile, dija dhe aparaturën me të cilën realizohej përgjimi i fshehtë në atë zyrë…

Çfarë ishte kjo pajisje?

Një aparat i vogël, gati i padukshëm, që vendosej në tavllën e duhanit. Mihal Bisha e pi shumë cigaren. Zakonisht mbante një tavllë të madhe mbi tavolinë.

Pra, aparati përgjues ishte instaluar në tavllën e cigares…

Kur e donte puna për të realizuar përgjime të tilla, Mihal Bisha mbante dy tavlla. Këtë e kisha mësuar qysh kur isha në aparatin e Komitetit Qendror. Bile, mbaj mend edhe shakatë që bëja me njërin nga kolegët kur hynim e dilnim për çështje pune aty. Një apo dy tavlla kishte Mihali në tavolinë, i thoshim njëri-tjetrit me shpoti. Pra, e dija që prania e dy tavllave në tavolinën e asaj zyre, do të thoshte se biseda me të përgjohej. Po se në cilën tavllë ishte përgjuesi, nuk mund ta dalloje…

Pse ju thirri Mihali në zyrë?

Kur kishte vetëm pak ditë që Vahid Lama ishte përjashtuar nga Partia, më telefonoi sekretarja e Mihal Bishës dhe më komunikoi porosinë për një takim pune në zyrën e tij në aparatin e Komitetit Qendror. Lajmi nuk ishte krejt i papritur pas atij ndëshkimi të bujshëm të sekretarit të Enverit. Miqësia ime me të dihej nga të gjithë. Goditja me akuza të rënda politike nuk mund të mos i jepte efektet edhe në rrethin e afërt të familjarëve dhe miqve të Vahidit. Ishte kjo në logjikën e atyre goditjeve që vlerësoheshin të rrezikshme. Me sa konstatoja, penalizimi i mikut tim, kishte cenuar deri diku shkallën e besimit ndaj meje. Thirrjen në zyrë nga Mihal Bisha që ishte zembereku i aparatit të KQ, që në momentin e parë e lidha pikërisht me ndëshkimin e Vahidit. Ajo që nuk arrija ta mendoja, kishte të bënte me pasojat që më prisnin nga kjo ngjarje tronditëse. Këtë e përforcova më shumë kur u futa në zyrën e tij dhe pashë dy tavllat e famshme mbi tavolinën e punës…

E kuptuat që nuk ju kishte thirrur për çështje pune…

Patjetër që e kuptova, por prisja me padurim si do ta niste bisedën, çfarë alibie kishte zgjedhur për të justifikuar takimin…

Çfarë biseduat, përse ishte i interesuar Mihali?

Ai ia nisi direkt në temë, pa hyrje-dalje. Ore, ç’na bëri kështu ky Vahidi? Të gjithë syleshë ishim që nuk e kuptuam? Pastaj si heshti një çast, u kthye nga unë me një pamje babaxhani, ndezi një cigare dhe më pyeti sërish: Kaq i djallëzuar paskej qenë? Kaq i fshehtë dhe i betuar kundra Partisë? Vazhdoi disa çaste me pyetje të tilla, aq sa një moment e kuptoi dhe vet që e kishte tepruar. Mos më pyet më gjatë, i thashë aty për aty. Ju këtu në aparatin e KQ-së e kishit Vahidin. Më mirë nga ju, nuk e njihte njeri. Kishte dhe të tjerë që e njihnin më mirë, e hodhi një çast vrerin ai, duke aluduar drejtpërdrejt për mua. Nuk di si të shpjegohem, iu përgjigja, po për aq sa jam në dijeni të dosjes së tij, bëhet fjalë për një veprimtari armiqësore të konsumuar këtu në aparatin e KQsë. Kjo nuk do të thotë se jashtë ka qenë parimor e i devotshëm,- më ndërpreu Mihali. Ta shikojmë çfarë do të rezultojë nga hetimet e procesit të nisur,- i thashë për të kapërcyer bisedën. E ke fjalën për procesin që s’pranove ta drejtoje zotrote? – m’u kthye Mihali, pa e fshehur hakërrimin.

Me një fjalë, Mihali e kishte marrë vesh që ju nuk pranuat të firmosnit urdhrin e arrestit të Vahid Lamës…

Në fakt, që nga momenti kur vendosa t’ia delegoj urdhrin e arrestit zëvendësprokurorit, e dija se kjo nuk do kalonte lehtë. E ndieja që dashakeqët do fillonin nga avazi: Hoqi dorë se do të shpëtojë mikun e tij. Nuk e firmosi se do t’u bëjë presion organeve të gjyqësorit etj. Paramendoja sakaq ndonjë zhurmë rreth e qark kolektivit të organizatës së Prokurorisë. Pak a shumë, ky ishte risku që më shkonte në mendje në ato momente. Se do të shkonte lajmi deri te Mihal Bisha, që ishte syri dhe veshi i Enverit, i Kryeministrit, i kreut të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit, këtë nuk e kisha menduar kurrë. Sidoqoftë, pas këtij momenti, sikundër ishte ai rregulli i pashkruar, e kisha të qartë se isha futur në rreth të kuq. E kjo do të thoshte përballje, përballje me një të keqe që nuk e shikon, por që e ndien kudo që ndodhesh. Ato çaste kur Mihal Bisha ma vuri në dukje faktin që isha shmangur nga procesi i Vahidit, mendova jo thjesht fundin e karrierës, por tmerrin që më priste si bashkëpunëtor i njërit prej armiqve të Partisë…

Si përfundoi takimi me Mihal Bishën, ju dha ndonjë porosi të veçantë kur u ndatë dhe, a ju thirri përsëri?

Ndoshta ke për të reflektuar më mirë,- më tha kur u ndamë. Partia të ka besuar përgjegjësi të larta, prandaj prêt më shumë nga ty, sidomos për gjëra kaq të rëndësishme. Aty për aty, desha t’i thosha diçka, por ndërrova mendje dhe pasi i dhashë dorën, dola në korridor. Unë e di si e kam bërë rrugën deri te makina. Të përplaseshe me Mihal Bishën atëherë, do të thoshte se kishe marrë tatëpjetën…

Po ja që në rastin tuaj nuk ndodhi…

Me sa duket, diçka nuk funksionoi në skemën e zakonshme që ndiqej për të tilla raste, megjithëse për ditë e javë të tëra jam gjurmuar e vëzhguar nga afër nga njerëzit e Sigurimit…

Si e konstatuat që ju përndiqte Sigurimi?

Qysh ditën që më thirri Mihali në zyrë, Sigurimi më vuri nga pas një prej agjentëve të tij. Kudo që shkoja më ndiqte këmba këmbës. Një tjetër përgjonte ditë natë poshtë ballkonit të shtëpisë. Ishte një përndjekje që e bënin haptazi, të cilën e ndieja jo vetëm unë, që i njihja fort mirë këto praktika, por edhe familjarët e tjerë. Të tillë situatë nuk kisha kaluar kurrë…

Ndërkohë që ishit në përgjim, vijonit detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka diçka jo fort bindëse në këtë histori…

E shpjeguar në këto rrethana, vërtet që është diçka e pabesueshme, por ja që kështu ka ndodhur. Me sa kam dijeni, rasti im nuk ka qenë i vetëm. Ka pasur dhe zyrtarë të tjerë, bile të niveleve të larta, që në rrethana të ndryshme janë vënë në përgjim. Mjaftonte një e dhënë, një informacion në rrugë operative, siç thuhej atëherë dhe specialistët të urdhëruar nga shefat e tyre fillonin nga puna. Kështu ishte atëherë, qoftë dhe dyshimi më i vogël dhe do kaloje në sitën e organeve të Sigurimit.

A patën dhe ata fatin tuaj?

Pati nga ata që përfunduan edhe në burg, që u shkarkuan nga detyra e shkuan në prodhim apo internim…

Ju kujtohet historia e ndonjërit prej tyre?

Kanë kaluar shumë vite dhe të them të drejtën nuk më vjen ndonjë emër në mendje. Po ka dokumente, ka dosje të tëra, ato janë hapur tani për të gjithë. Ndër këto histori, ajo e Vahid Lamës ka qenë më e bujshmja. I gjori Vahid, se ka ndërruar jetë, teksa punonte në zyrën e Enverit u bë pre e këtyre operacioneve sekrete dhe përfundoi në burgun e Qafë Barit. Kështu ishte koha, ndoshta regjimi i kishte në natyrën e vet histori të tilla tronditëse.

Dokumenti i Gjykatës: Përse akuzohej Vahid Lama

“Ka fyer rëndë Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë”

“Vahid Lama ka përdorur shprehje me përmbajtje fyese për drejtoreshën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, duke thënë se ajo në punë më shumë çorganizon, se organizon”. Në morinë e akuzave ndaj sekretarit të Enver Hoxhës, ajo për Nexhmije Hoxhën përbën pjesën më të rëndësishme të saj. Së paku, për aq sa ka mbetur në procesverbalin e procesit gjyqësor, ku denoncimet në adresë të tij për shpërfillje të udhëheqësve kryesorë dhe anëtarëve të Byrosë Politike kanë dominuar kryqëzatën ndaj njeriut, që punoi 13 vite në zyrën e diktatorit. “Vigjilentët” në këtë rast nuk ishin dëshmitarë të zakonshëm, por zyrtarë të besuar të Komitetit Qendror. E artikuluar në zhargonin e kohës, aktakuza ndaj Vahid Lamës në procesin e vitit ‘81 e penalizonte për qëndrim armiqësor të shprehur me opinione e deklarata, që binin ndesh me vijën politike të partisë. Ndër to, qëndrimi i tij për marrjen e kredive nga vendet kapitaliste veçohet si një akt i pastër armiqësor, që i kundërvihet politikës së Partisë.

“Lama është shprehur, konfirmohet aty, se mosmarrja e kredive, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta, do të pengojë ritmet e zhvillimit ekonomik, pasi ne jemi vend i vogël e pa mbështetje”. Të tjera dëshmi jo më pak të rëndësishme për drejtësinë komuniste shtjellohen aty, madje edhe me komentet përkatëse për të përligjur pozitën armiqësore borgjezorevizioniste të juristit, që punoi 13 vite në paradhomën e Hoxhës. “Vahid Lama,- pohon prokurori i çështjes,- kundërshton legjislacionin e punës që kufizon pagën për tejkalimin e normës mbi 125 për qind dhe për mospagimin e punëtorëve për ditët e festave”. Pas një panorame të tillë faktesh e pseudoargumentesh, trupa gjyqësore arrin të konkludojë se “I pandehuri Lama, i frymëzuar nga pikëpamje armiqësore antimarksiste, ka shpërthyer më vonë në agjitacion e propagandë kundër partisë, udhëheqjes së saj dhe veçanërisht kundër udhëheqësit kryesor”. Ka mjaftuar kaq për të proceduar me masën e dënimit: 10 vjet heqje lirie!/Panorama