“Nuk kam gjykuar të kërkoj falje, por shpreh keqardhjen time për familjarët e viktimave”. Kjo është përgjigjja e ish-Kryeprokurorit të regjimit komunist për rolin në tragjeditë e shkaktuara me firmën e tij në proceset e tmerrshme, që kanë çuar para skuadrës së pushkatimit dhjetëra njerëz. E shprehur kësisoj, kjo qasje e Rrapi Minos, më shumë se për të qenë në paqe me veten, është një mënyrë justifikimi e tipit “Ashtu ishte koha, ashtu ishte ligji”.

Kjo dallohet lehtë sidomos në ato që rrëfen më tej zyrtari, që ka përfaqësuar akuzën në proceset më të bujshme të regjimit. I shtrënguar të tregojë nëse ka pasur mundësi të propozojë një masë më të lehtë nga dënimi me vdekje në ato procese, ai pa dashje shkon tek e vërteta, duke pohuar se çdo dënim tjetër do ta penalizonte vetë atë për shpërdorim detyre. Përtej këtij argumenti, në pjesën përmbyllëse të rrëfimit për gazetën “Panorama”, Rrapi Mino, një nga zyrtarët më të frikshëm të regjimit komunist, i kthehet kohës kur kishte lënë karrigen e Kryeprokurorit dhe përballej me akuzën për krime kundër njerëzimit. I rikthyer në burg, këtë radhë jo si zot i ligjit, por si objekt i goditjes së tij, kujton një mori episodesh nga përjetimet në birucë me ish-kolegët e dikurshëm, Ramiz Alia, Hekuran Isai, Arianit Çela dhe shpurës tjetër të shtetarëve të diktaturës…

Zoti Rrapi! Ju jeni prokurori që keni dënuar me pushkatim një pjesë të madhe të anëtarëve të Byrosë Politike dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm të regjimit komunist. Çfarë do të korrigjonit në këto dënime kapitale, nëse ata do të gjykoheshin në ditët e sotme?

Unë kam qenë prokuror në disa nga këto procese, që janë finalizuar me dënime ekstreme, siç ka qenë procesi i Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Llambi Peçinit, Llambi Ziçishtit, e ndonjë zyrtari tjetër të këtij rangu. E vërteta është se ato kanë qenë procese shumë të rëndësishme, jo vetëm për akuzën e rëndë ”krime kundër shtetit”, por sidomos për profilin e lartë politik e shtetëror të të penalizuarve. Me çfarë mase do t’i dënoja, po t’i rigjykoja sot, kjo më duket një pyetje pa kuptim. Më duket kështu, se në radhë të parë kemi të bëjmë me dy sisteme të ndryshme. Në fund të fundit, fajtorët dënohen sipas ligjeve në fuqi. Ato ligje ishin atëherë, ai ishte fati i tyre. Aktualisht, kemi një legjislacion tjetër, që nuk i njeh akuza të llojit “agjitacion e propagandë”, “sabotim apo tradhti” etj..

Me një fjalë, t’i kishit sot në bankën e të akuzuarve Kadri Hazbiun apo Abdyl Këllezin, nuk do t’i kalonit para skuadrës së pushkatimit…?

Është e kuptueshme…

Në fund të fundit, të dy i keni dënuar për krime kundër shtetit, aktualisht është ndërruar regjimi, por shteti është po ai…

E si mund ta dënosh sot Abdyl Këllezin me akuzën e atëhershme për orientimin kapitalist të ekonomisë. Abdyl Këllezi sot jo vetëm nuk mund të penalizohet për atë akuzë, por e them me plot gojën që ai mund të ishte kryeministri më i mirë i Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit.

Mund të ishte, po ai vendimi famëkeq për dënimin me vdekje-pushkatim, që keni firmosur ju në procesin e vitit ‘77…

Një e dy dhe tek ajo firma mbete ti, sikur unë paskësha qenë strumbullari i gjithë atyre fatkeqësive.

Njëri nga ndëshkuesit, as më shumë, as më pak, prokurori që shqiptonte i pari në seancë dënimin me vdekje…

E tillë ishte koha, Kodi Penal, fryma shoqërore etj..

Në ato rrethana, a kishte mundësi të propozoje një masë më të lehtë nga dënimi me vdekje?

Absolutisht jo. Se nuk të lejonte hapësirë Kodi Penal. Ndryshe, dënohesha për vete për shpërdorim detyre…

Po shpëtonit një jetë njerëzore…

Sot mund të thuash këtë e plot gjëra të tjera, por duhet t’i vendosësh gjërat në kontekstin e tyre kohor. Se mund ta shpëtonte dikë një prokuror, por nuk e lejonte gjykata…

Sidoqoftë, janë bërë shumë krime, janë vrarë me dhjetëra njerëz, janë persekutuar familjarët e tyre…

Të gjitha këto në kuadrin e atij regjimi, unë nuk isha regjimi, por vetëm një zyrtar i tij…

A ndihet keq ky zyrtari që ka firmosur dhjetëra dënime me vdekje, qoftë dhe në emër të regjimit? Ia ndien shpirti një ndjesë të sinqertë për viktimat dhe familjarët e tyre?

Të them të vërtetën, ndihem i keqardhur për gjithë ato fatkeqësi njerëzore, por rezervohem të them më fal, sepse, në fund të fundit, kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, bile me korrektësinë më të madhe, atë që parashikonte Kodi Penal germë për germë e nen për nen. Këtë e kam shprehur edhe gjatë procesit penal kur u penalizova për gjenocid e krime kundër njerëzimit…

Le t’i kthehemi procesit tuaj, me çfarë akuze u penalizuat dhe sa vite u dënuat?

Pas përmbysjes së regjimit, jam dënuar dy herë. Në procesin e parë, që u zhvillua në tetor të vitit 1993, më penalizuan për shpërdorim detyre bashkë me Ramiz Alinë dhe Manush Myftiun. Çfarë akuze nuk më vunë përpara. U bë zhurmë e madhe në medie e publik. U lirova në korrik të vitit 1995. Po me sa dukej, revanshi nuk do ndalej këtu. Procesi i dytë ishte më i tmerrshmi. Ai u zhvillua në vitin 1996. Bashkë me Hekuran Isain dhe Aranit Çelën u gjykuam e dënuam me vdekje pushkatim për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. E deshi fati dhe shpëtuam, pas atyre rrethanave që u krijuan me ngjarjet e vitit 1997.

Çfarë përjetonte ish-Prokurori i Përgjithshëm i rikthyer në qeli, këtë radhë jo si përfaqësuesi i akuzës, por i akuzuar, madje, për krime të rënda?

Në ato qeli kisha shkuar me dhjetëra herë gjatë kohës kur ushtroja detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se një ditë do të bëhesha dhe vetë banor i njërës prej tyre. Pastaj, mosha e madhe e bënte dhe më të vështirë ambientimin me kushtet e birucës. Gjithsesi, ishte parashikuar për ta kaluar dhe këtë sfidë sfilitëse.

Si ishte reagimi i punonjësve të burgut?

Kur isha për herë të parë në Burgun 313, gjetëm një personel miks. Kishte gardianë të vjetër, madje edhe nga ata, me të cilët na kishte lidhur puna më parë. Ishin rekrutuar sakaq gardianë e punonjës të rinj, kryesisht nga radhët e të përndjekurve politikë. Sa për reagimin e tyre, nuk di çfarë të them. Në përgjithësi na shikonin me një lloj urrejtjeje. Po kishte dhe njerëz të mirë ndër ta. Unë për vete, po dhe të tjerët, prisja një mjedis më armiqësor…

Pati ndonjë rol njohja me gardianët e vjetër në përmirësimin e kushteve?

Të vjetrit, ndoshta ngaqë ruheshin e kërkonin benefite për të qëndruar në punë, u sollën më ftohtë e herë-herë në mënyrë më arrogante. E gjitha kjo për të fituar besimin e eprorëve. Pjesa që i ishte shtuar personelit nga radhët e të dënuarve, në përgjithësi ishte disi më tolerante. Kishte edhe ndër ta që silleshin brutalisht.

Gardianët e vjetër ruheshin, thoni ju, të rinjtë e rekrutuar rishtas nga radhët e të dënuarve politikë silleshin më mirë kur këta të fundit kishin arsye t’u qëndronin më ashpër…

Kështu mendoja dhe unë ditët e para, por u zhgënjeva. Për hir të së vërtetës dhe për ironi të fati, kështu ka ndodhur.

Përtej kësaj konsiderate të përgjithshme, kishte ndonjë rast kur punonjësit e burgut tejkalonin kërkesat e rregullores në komunikimin me ju?

Fillimisht edhe kishte, po kur erdhi drejtor i burgut nipi i Qazim Mulletit situata u përmirësua ndjeshëm. Kur morëm vesh se do vinte ai, na zuri frika. Për fat ndodhi e kundërta. Ai ishte shpirt njeriu. Vinte në dhomë, më pyeste si ishim me shëndet, përse kishim nevojë, a na bezdisnin gardianët etj.. Ruaj kujtimet më të mira për të. E kam takuar dhe më vonë dhe e kam falënderuar me shpirt për korrektësinë dhe dimensionin njerëzor. Ai vuri rregull edhe te të tjerët. Nuk më duhet mua, thoshte, biografia e të dënuarve, postet që kanë pasur, shkeljet që kanë bërë, ato i dinë organet e tjera. Për mua, bibla e shërbimit është korrektësia në zbatimin e regjimit sipas ligjit dhe rregullores së burgut…

Çfarë raportesh kishit, kur vuanit dënimin në burg, me Ramiz Alinë, Hekuran Isain, Aranit Çelën dhe pjesën tjetër të bllokmenëve që ishin aty?

Si të gjitha raportet e të dënuarve nën të njëjtën çati. Se në burg nuk ka grada dhe ofiqe, aty janë të gjithë njëlloj. Padyshim që na bashkonte akuza e njëjtë dhe postet e larta që kishim pasur në regjimin e kaluar. Pastaj, kishim gati të njëjtën moshë. Atëherë, në Burgun 313 ne ishim më të moshuarit…

Kishit kontakte me median kur vuanit dënimin në burg?

Nga jashtë kishte interesim, sidomos nga gazetarë vendas dhe të huaj, por, të them të drejtën, unë kisha vendosur t’u qëndroj larg mediave dhe zhurmës së tyre që asokohe ishin futur në një garë të ethshme kush e kush të bënte sensacionin më të madh në emër të antikomunizmit. Të tjerët pati raste që pranuan dhe dhanë intervista me zë dhe figurë…

Kush dha intervistë nga burgu nga grupi juaj?

Me sa më kujtohet intervistë dha Hekuran Isai e Aranit Çela. Kam dëgjuar që ka folur për një kanal të huaj dhe Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha. Çfarë kanë thënë, nuk e di. Unë për vete refuzova në mënyrë kategorike të dilja para kamerës. Ata të TVSH-së këmbëngulën fort, por i kundërshtova prerë. Këtë nuk e bëri Aranit Çela dhe Hekuran Isai…

Erdhën gazetarët e TVSH-së aty për t’ju intervistuar?

Më parë ata e kishin kopsitur me drejtuesit e burgut. Erdhën dhe na takuan një nga një. Bile pati ndërhyrje nga drejtoria se në rast prononcimi për TVSH-në do të kishim dhe lehtësira. Araniti dhe Hekurani pranuan. Shkuan në studio dhe bënë intervistën që u kërkuan. Nuk e di çfarë kanë thënë, por kur u rikthyen në qeli, më qortuan pse kisha kundërshtuar…

Zoti Rrapi! Ju pyeta dhe më parë, po nuk më treguat, ju ka qëlluar të përballeni tani në liri me njerëz që dikur i keni pasur në bangën e të akuzuarve, apo me familjarë të atyre që janë pushkatuar…

Ka pasur dhe raste. Pjesa më e madhe nuk preferojnë të më flasin. Ka ndër ta që më kanë kërkuar vetë për të mësuar vendndodhjen e eshtrave të babait apo vëllait. U kam treguar çfarë kam ditur. Ka ndonjë që më shpreh edhe mirënjohje për ndihmën që i kam dhënë në kushte specifike…

Ju ka falënderuar…

Ka disa të tillë, por këtu desha të përmend rastin e vajzës së Vasil Katit, ish-zëvendësministrit të Tregtisë, që u dënua me grupin e ashtuquajtur të sabotatorëve në ekonomi. E kisha fjalën për Kozarën. Kur ishin të internuar në një fshat të largët të Vlorës, njëri nga drejtuesit e Sigurimit të zonës ishte sjellë keq me të, bile edhe me familjen e saj. Ajo më shkroi një letër dhe unë në rastin më të parë që shkova në Vlorë, e thirra dhe pasi bëra verifikimet përkatëse, ia zgjidha problemin. E kisha harruar këtë episod, si shumë të tjerë të asaj periudhe, por një ditë Kozara më ndaloi në rrugë dhe pasi më thirri për kafe, më shprehu falënderimet. Qysh atëherë, përshëndetemi shpesh. Ka dhe raste të tjera, po kush i mban mend në këtë moshë…

Shakaja e Hekuran Isait për birucat e ftohta të burgut

Rrapi Mino e ka pasur mik dhe koleg Hekuran Isain dhe ruan shumë kujtime nga koha që kanë kaluar bashkë. Fillimisht, janë njohur gjatë procesit të Kadri Hazbiut, ku kanë qenë protagonistët kryesorë të tij. Mino si prokuror dhe Hekurani ish-ministër i Brendshëm, që drejtoi hetimet nga dita e parë dhe deri në finale të procesit. Puna e përbashkët në vijim e ka forcuar më tej miqësinë mes tyre. Qëlloi që edhe në burg në fillim të viteve ’90 të ndanin të njëjtën qeli. “Pa praninë e Lal Hekrit në ato çaste të vështira, kujton Mino, do ta kisha kaluar shumë keq”. Për të, Isai ishte një figurë interesante, i afrueshëm e me humor, madje dhe në çastet më të rënda. Nga mbresat e shumta që ruan nga shoqëria me të, ishProkurori i Përgjithshëm, kujton një dialog me Isain në ditën e parë të burgut. “Ishin çastet e para sa kishim shkelur në birucë, tregon Mino. E vogël e pa dritë fare, na dukej sikur do na zinte frymën nga momenti në moment. E sheh o Rrapi, çfarë i kemi bërë vetes, më tha Hekurani me shpoti, teksa nisi të rregullonte vendin ku do ulej. Në dorë e kishim, o burrë i dheut dhe mund t’i bënim dritë si dhoma hoteli. Nuk na mungonte gjë. Mjaftonte një urdhër dhe rregullohej gjithçka. Si nuk na shkoi mendja, si nuk e menduam një herë se një ditë do të ishim edhe vetë banorë të tyre”. Hekurani, për ishKryeprokurorin, përveç shakasë me kripë, kishte dhe një mënyrë interesante komunikimi, aq sa hera-herës nuk kuptohej kur e kishte me të vërtetë dhe kur me humor./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb