Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ish-ministër në qeverinë e Milloshevic, në ceremoninë përkujtimore për sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999, është shprehur se është krenar që është president në Serbinë e lirë.

26 vjet nga dita kur NATO sulmoi Serbinë e cila kreu gjenocid me popullsinë shqiptare në Kosovë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili po përballet ditët e fundit me protesta masive kundër tij, ka luajtur me kartën e nacionalizmit.

Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Vuçiç tha se “trishtimi është gjithmonë, por nuk na mposhtën”.

Vucic
Vucic

“Dhimbja që na shkaktuan ishte e madhe, na vranë fëmijët, gratë, gratë shtatzëna, pleqtë, policët tanë, ushtarët tanë, na shkatërruan urat, na shkatërruan shtetin, na bënë fajtorë të përjetshëm. Por ata prodhuan diçka që nuk e prisnin, zgjoi sfidën, krenarinë”, tha Vuçiç.

Ndonëse Serbia është një vend që aspiron për tu integruar në Bashkimin Evropian, presidenti Vuçiç i është sulur vendeve të NATO-s të cilët së bashku vendosën ti jepnin fund përpjekjeve të Millosheviçit për të aneksuar Kosovën.

“Na sulmoi një forcë prej 19 shtetesh, që kishin rreth 60 herë më shumë, që kishin 228 herë territor, ishin 518 herë më të pasur se ne, por nuk na trembën”, tha ai në fillim të fjalës së tij.

“Sot unë jam president i një vendi që është i lirë, që merr vendimet e veta, që është sovran dhe i pavarur, që ka dinjitetin e vet dhe që mund të thotë se askush tjetër nuk e qeveris atë, por populli i tij. Nuk kemi për çfarë të turpërohemi”, theksoi Vuçiç.

Bombardimi i Jugosllavisë nga NATO ishte operacioni ushtarak i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior kundër Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë Luftës së Kosovës.

Sipas NATO-s, operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe kjo ishte hera e parë që organizata e ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sulmet ajrore zgjatën nga 24 marsi 1999 deri në 10 qershor 1999.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb