TIRANË

Ish-ministër i Jashtëm, ish-ministër Bujqësie dhe tashmë edhe ish-deputet, Edmond Panariti ka komentuar në studion e News24 zhvillimet e fundit dhe situatën politike. Duke folur për deputetët e rinj, 4 nga LSI që kanë marrë sot mandatin nga KQZ, ai tha se ajo nuk është opozitë reale.

“Opozita e vërtetë ndodhet mes njerëzve të vërtetë, jashtë atij parlamenti. Artificat për të tentuar për të zëvendësuar opozitën për mua nuk ka vlerë. Këtu dëshmohen dhe cedime të integritetit të individit. Nuk jemi marrë me ata që kanë marrë mandatin. Djegia e mandateve ishte një vendim politik, kolektiv por i peshuar dhe në mënyrë individuale nga secili nga ne. Nuk kishim ç’të bënim në një parlament ku debati degradoi në sulm të hapur, bullizëm. Nuk mund të ishim më qesharakë. Ata nuk përfaqësojnë opozitën”, tha Panariti.

Ai u shpreh se parlamenti ka kaluar ligje antikushtetues për mungesë të Gjykatës Kushtetuese. “Po ju tregoj dy ligje që tregoj aleancën që qeveria ka pasur me oligarkë që kontrollojnë me koncesione pasurinë e vendit. Ligji i teatrit, ligji i faljes së interesave të dividentit me efekt prapaveprues”, tha ish-deputeti i LSI.

Madje ai e cilësoi parlamentin një zyrë noterimi e VKM-ve të kryeministrit. Me tej ai u ndal dhe tek deklaratat e ndërkombëtarëve, veçanërisht tek ajo e bërë për një qeveri tranzitore.
“Kam pritur diçka tjetër. Kam dëgjuar shprehje… nuk mund të thuhet ‘no ëay’, në asnjë mënyrë. Nuk ka ‘në asnjë mënyrë’ por ka gjithmonë një mënyrë.
Ne nuk kërkuam pushtetin në tavolinë. Ne kërkuam një qeveri tranzitore, të mirëbesimit e cila do përgatiste vendin për zgjedhjet. Ne e kërkojmë në të mirë të vendit. Mund të marrë përmasa të frikshme kriza”, tha Panariti.

Për sa i përket protestës së nesërme të paralajmëruar nga policia, Panariti i bëri thirrje policisë të mos përdorë gaz lotsjellës. Ai hodhi dyshime se lënda e hedhur nga policia mund të ketë përmbajtje fosfori organik, i cili është i rrezikshëm për njerëzit.
“Është qesharake që kërkohet të riaktivizohet një parlament i vdekur. Dyshoj se lënda e hedhur nga policia ka përmbajtje fosfori organik.
Policia në mënyrë kategorike të mos përdorë gaz lotsjellës nesër. Pavarësisht se mund të ketë VKM dhe procedura. Ne nuk do dalim me lule dhe buzëqeshje. Aktet e vandalizmit i gjejmë tek policia”, tha Panariti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb