Ish-ministri serb i Punëve të Jashtme dhe lider i Partisë popullore në opozitë, Vuk Jeremiç, iu bëri thirrje organeve të hetuesisë të Serbisë që t’i hetojnë lidhjet midis ish-Qeverisë së Maqedonisë dhe drejtorit të kompanisë SCMG, që e bleu fabrikën nga Krushevaci.

Jeremiç, në një deklaratë për “TV Nasha” të Beogradit, theksoi se nuk janë të sakta pohimet e Partisë Progresive serbe në pushtet (SNS) se është gjetur partner strategjik për fabrikën, që ishte në falimentim nga janari i vitit 2016n kur kompania ishte vlerësuar rreth 48 milionë euro. Ai tha se kompania çeke “Çehosllovak grup” në tetor të këtij viti përmes kompanisë së Beogradit SCMG e ka blerë vetëm kompaninë qendrore në Krushevac, për katër milionë euro, edhe atë me marrëveshje të drejtpërdrejtë, pa ankand publik.

“Vetëm është rrëmbyer prona, ndërsa punonjësit e larguar nuk janë kthyer në punë”, theksoi Jeremiç, shkruan “portalb”.

Ai theksoi se sipas ligjeve serbe, marrëveshjet e drejtpërdrejta për shitblerje lejohen vetëm në “raste speciale”, ndërsa “speciale në këtë rast është ajo që sivjet në Maqedoni është rrëzuar regjimi diktatorial dhe i korruptuar thellë i Nikolla Gruevskit, vëllai binjak politik i presidentit serb Aleksandar Vuçiç”.

“Ata janë njerëz të atij regjimi, ndërsa para të gjithëve qëndron Sasho Mijakllkov, ish-shef i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe “dora e djathtë” e Gruevskit, të cilët filluan në panik të tërheqin para të fituara me aktivitete korruptive në Maqedoni dhe t’i plasojnë në skema të ndryshme, përmes oazave tatimore, Holandë dhe Çeki”, theksoi Jeremiç.

Ai theksoi se në Maqedoni po afron fundi i hetimit për Mijallkovin dhe liderët e tjerë të ish-autoriteteve të Maqedonisë dhe iu bëri thirrje organeve të hetuesisë serbe që ta analizojnë edhe rastin për fabrikën nga Krushevaci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: