TIRANË

Shumë shqiptarë kanë ende kuriozitet për Bllokun e famshëm të komunizmit. Zonën që personifikonte sistemin dhe njerëzit që drejtuan vendin për dekada me radhë. Për Isuf Kalon, ish-mjekun e diktatorit Enver Hoxha, Blloku ishte një mendësi e supermacisë së një kaste mbi njerëzit e tij. Për çfarë ndodhte brenda Bllokut, marrëdhëniet me diktatorin por edhe si i ka parë ai zhvillimet brenda këtij Blloku, Isuf Kalo që i ka përshkruar në librin e tij me të njëjtin emër flet sot në “Real Story” në News24.

Kalo pohoi debatet që ka ngjallur libri, por sipas tij, ato janë impresione të tijat dhe mënyrën e tij të interpretimit.
“Unë do thosha që blloku ishte një shpikje e atij sistemi sepse në regjimet e mëparshme nuk ka pasur Bllok. Mbase nuk ishte shpikje origjinale në Shqipëri pasi ishte e kopjuar nga vende të tjera socialiste. Blloku ishte simbol. Para së gjithash Blloku ishte një mendësi e supermacisë së një kaste mbi njerëzit e tij”, e nis rrëfimin Kalo.

Ai tha se mori iniciativën të jepte rrëfimin e tij në një libër për të treguar ato ndjenja, konstatime, dilema e hamendje që kishte përjetuar gjatë punës së tij.
“Më tërhoqi që në UET ekzistonte një kolonë që janë botuar vepra të memories së kohës së komunizmit. Aty kanë botuar autorë shumë të suksesshëm dhe unë mendoja që kjo kolonë nuk do ishte e plotë pa reflektuar Bllokun që ishte një farë simboli. Dhe meqë unë kisha impresione. Unë jam imprenjuar me disa ndjenja, konstatime, dilema dhe disa hamendje që kisha formuluar vetë. Thashë të mos i marr me vete në moshën që kam, jam 77 vjeç dhe kam një histori familjare për moshën jo për të jetuar kaq gjatë. Thashë t’i rrëfej pavarësisht se ka pasur debate. Unë nuk kam monopolin e së vërtetës. Është bazuar në impresionet e mia dhe mënyrën time të interpretimet. Nuk mendoj se është e pagabueshme”, thotë Kalo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb