Në prag të Ditës Ndërkombëtare të grave, ish-nënkryetarja e Kuvendit dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, promovoi librin e saj analitik “Politika si ide” në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në qytetin e Elbasanit.
Ky libër, i shkruar pas shkëputjes nga politika, përmes analizës, kritikës dhe autokritikës, trajton problematikat e një shoqërie që është ende në kërkim të demokracisë, ndërkohë që pohon ta ketë atë në sipërfaqe. Në këtë promovim ishin të pranishme gra të shquara nga fusha të ndryshme dhe jo vetëm si edhe disa personalitete të njohura publike nga Elbasani.
Gjatë promovimit të librit, Leskaj theksoi se politika sot duhet të jetë e hapur për përfshirjen e të gjithë shoqërisë dhe se të rinjtë duhet të jenë aktivë në politikë për të siguruar që fatet e tyre të mos varen nga të tjerët.
Ajo shprehu shqetësimin se politika shqiptare ende është e dominuar nga gjuha e urrejtjes dhe nuk ka krijuar një kulturë të duhur komunikimi dhe bashkëpunimi për çështje të rëndësishme, duke theksuar se ndasitë politike mbeten të shumta.
Leskaj e cilësoi këtë si një moment reflektimi, pasi kjo do të kishte një ndikim pozitiv për të gjithë shoqërinë. Po ashtu, ajo shprehu mirënjohje për kontributin që po japin femrat elbasanase në politikë dhe në çdo aspekt tjetër.
Gjithashtu Leskaj e cilësoi Elbasanin një vend me njerëz të mrekullueshëm dhe shprehu konsideratat e saj më të mira për gratë elbasanase të cilat me përkushtimin dhe punën e tyre kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë jo vetëm për këtë qytet e këtë zonë, por për të gjithë Shqipërinë.