Ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha, i ftuar në emisionin “Real Story”, në “News 24”, deklaroi, se janë të pakënaqur nga lidershipi aktual i PD, që sipas tij, ka sjellë humbje të një pas njëshme.
Ai tha se më 8 janar, ishte afati që kryedemokrati Lulzim Basha të lironte zyrën, pasi kishte një Kuvend dhe një referendum që e shkarkuan nga posti. Hoxha pretendoi se ndaj protestuesve ditën e protestës, është përdorur gaz lotsjellës dhe fikëse zjarri, nga persona që qëndronin brenda në seli.
“Zoti Kulluri ka kohë që e kritikon zotin Basha. Edhe ne pak nga pak, se kemi parë se çfarë po heq kjo parti. PD ka një histori dinamike. Humbja e zgjedhjeve më 25 prill ishte traumë. Basha gënjente dhe thoshte se nuk njohin parlamentin e ri, e në fund ai shkoi në parlament. E djathta është e gjithë shqiptarëve. Ka një mënyrë se si funksionojnë demokracitë. Mandati i çdo njeri, çdo sekondë ku formohet një shumicë tjetër, hidhet në votë dhe shumica fiton.
Basha e ka kthyer partinë në një kasafortë. Kur u thërrit Kuvendi i 11 dhjetorit Basha bëri gjithçka për të mos e bërë. Ne i thamë shko në zyrat e Palokës dhe verifikoi, nuk dëgjoi. Data 18 dhjetor u kthye në referendum për Bashën. Ndryshoi statuti më 11 dhjetor. Ne ju ftuam në një grykë shisheje. Data 8 është rezultat i 11 dhjetorit, rezultat i referendumit kombëtar të 18 dhjetorit. Më 8 janar ne i thamë që nëse nuk largohesh, duhet të dorëzosh zyrën. Zotëria u kyç në kasafortë dhe mbushi PD me njerëz që s’kanë lidhje me partinë. Unë hyra brenda në seli.
Basha u vetëmbyll me disa njerëz që s’kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ai i helmoi me gaz demokratët. Kanë përdorur gaz lotsjellës me sprai. Kanë përdorur fikëse zjarri. A u fut policia dhe u bë palë në këtë proces? A u kërkua ndihmë nga deputeti Basha? Ata na ndoqën me gaz lotësjellës. E vendos policia kush qëndron në seli e kush jo”, tha Hoxha.
(BalkanWeb)