*Reforma në drejtësi ti lihet ekspertëve, politika vetëm ta votojë
*Edi Rama përpiqet por nuk ka ekip
*Opozita e sotme në gjendje të mjerë
*Opozita e sotme në gjendje të mjerë
*Berisha ka mbaruar misionin e tij
*Berisha është kthyer në një pengesë të madhe
*Aleancat e zgjedhjeve 2017, është ende herët
*Ka vetëm deklarata anësore, asnjë hap nga Basha
TIRANE- Ish-presidenti Bamir Topi, njëherësh kreu i Frymës së Re Demokratike, deklaroi se reforma në drejtësi duhet ti lihet në dorë ekspertëve, ndërsa politika duhet vetëm ta votojë. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, në ‘News24’, drejtuar nga moderatorja Eni Vasili, Topi theksoi se nëse nuk gjendet konsensusi, atëherë miratimi i draftit duhet të kalojë në referendum.

Zoti Topi kryefjala kësaj mazhorance për vitin 2016 është konsideruar reforma në drejtësi. Tashmë procesi ka arritur në pikën kritike…në mars pritet të vijë opinioni i Venecias, dhe beteja do të bëhet këtu… si e keni parë ecurinë e këtij procesi deri më tani?
Në si subjekt politik kemi mbështetur reformën në drejtësi. Madje kemi dërguar prej kohësh të gjithë opinionin tonë më shkrim, dhe herë pas herë jam shprehur dhe kam qenë pjesë një tryeze të ekspertëve së bashku me politikanë dhe ish kryetar shteti që do të thotë që Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për etapën në të cilën kalon vendi dhe institucionet. Mbështetja ka qenë jo vetëm në planin politik dhe moral por edhe me opinione të cilat derivojnë edhe nga programi i FRD, ku gjërat më të rëndësishme janë ato që kanë të bëjnë me shtetin dhe në mënyrë të posaçme me institucionet e drejtësisë.

Çfarë mendoni për draftin e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë?
Së pari grupi i ekspertëve ka qenë mjaft profesional ndonëse për hir të së vërtetës paragjykohen. Ka rrethana specifike pse ata paragjykohen sepse në një mënyrë apo tjetër dikush është afër një partie politike dikush pranë një tjetre, dikush është i pavarur për shkak se qëndrimi i tij është në sintoni me atë të një partie, konsiderohet kundërshtar nga pala tjetër. Për aq sa unë i njoh, kanë qenë ekspertë të cilët kanë punuar nga afër edhe me ekspertë ndërkombëtar, dhe unë besoj që mendimi i Venecias do të jetë konkludiv dhe shpresoj që të mos paragjykohet, sikur ndodh herë pas herë në politikën shqiptare. Unë do kisha preferuar, nëse do isha pjesë e këtyre negociatave që Komisioni i Venecias të mos kërkojë dy herë apo tre herë për të ndërhyrë. Është një komision jopolitik, shumë profesional, që mendimet e veta i jep jashtë çdo lloj influence, shkon sipas standardeve të jurisprudencës ndërkombëtare, natyrisht njeh shumë mirë situatën e drejtësisë në Shqipëri dhe besoj nuk ishte e nevojshme që Venecias ti ktheheshim për herë të dytë.

Ishte e nevojshme për shkak të këndvështrimit të ndryshëm të palëve dhe për hir të konsensusit?
Konsensusi është çështje vullneti politik. Unë besoj që po të shkosh në ekspertizë, ta pranosh atë, të pranosh këshillat që ka Komisioni i Venecias besoj se është e mjaftueshme.

A ka të drejtë opozita të kërkojë një votim me 2/3 për njerëzit e drejtësisë… me argumentin se me variantin 3/5 që është në draft, shumica kap sistemin?
Kjo është një çështje e një interpretimi qoftë edhe i natyrës subjektive..Në këndvështrimin tim 3/5 është kuota e një votimi të cilësuar e cila jo pa arsye është e ndarë nga 2/3. Kushtetuta e ka parashikuar qartë. Besoj që kushtetuta e miratuar në vitin 1998 , që ka kaluar nëpërmjet një referendumi, natyrisht ka patur mjaft ekspertizë. Koha ka treguar që votimi me 3/5 që konsiderohet një votim i cilësuar për mjaft nga problemet që parashikon emërimi i disa institucioneve dhe 2/3 kanë absolutisht nocione dhe kuptime të kundërta. Me 2/3 bën impichment, me 2/3 shkarkohen, me 2/3 ndryshon kushtetuta, dhe përfytyroni se çfarë lloj paradoksi është tek ata që e kundërshtojnë. Ne kishim zgjedhjen e presidentit me 3/5 dhe ata e çuan me 71 vota, tani kërkojnë që anëtarët e gjykatës së lartë ti emërojmë me 2/3.

Ju e dini arsyen, fakti që kjo maxhorancë ka të gjitha votat? A është kjo pozitive…. për një vend
Sigurisht nuk është pozitive që të paragjykosh procesin. Historia e kushtetutës nuk është një histori që shkon me frekuencën e zgjedhjeve. PO këta janë mësuar të gjithë me radhë që kur i duhet për të ndryshuar për interesat e tyre e bëjnë këtë dhe brenda një nate. Të shkosh tek ndryshimet kushtetuese duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Pra të mendosh që ti do të marrësh peng procesin me 2/3 se nuk i ke votat ose se këta i kanë 3/5.

A nuk duhet të garantohet edhe pjesëmarrja e opozitës në këtë proces kaq të rëndësishëm?
Kjo duhet të vijë nëpërmjet një procesi. Opozita e sotme nuk erdhi në çast në jetën politike, ajo ka qenë maxhoranca e djeshme. Ne e kemi fjalën këtu për mënyrën e sjelljes politike. Ti nuk mund të ndryshosh, ndryshe ishe dje kur ishe ne pushtet që kërkoje gjithçka ta realizoje mundësisht me 71 vota, sot ta bësh ndryshe pse je në opozitë. Kjo i ngjan asaj lojës së fëmijëve shiko se më more topin dhe unë nuk dëshiroj të luaj. Unë besoj që defektin politika shqiptare e ka tek mënyra ë dialogimit, tek komunikimi dhe tek koherenca për çështje të rëndësishme, sepse këta duan pushtet nuk duan shtet.

Besoni se do të arrihet konsensus?
Unë besoj se ka ardhur koha sepse e kemi tepruar me këtë shpresoj por vërtet ka ardhur koha, kjo është arsyeja që unë jam shprehur drejtpërdrejt që për reformë në drejtësi, klasa politike shqiptare, ata që janë në parlament duhet të bien dakord në parim që të behët kjo reformë, ti lihet në dorë ekspertizës dhe në fund fare ta miratojnë formalisht.

Mendoni që duhet patjetër të arrihet një konsensus për këtë reformë, apo mendoni që duhen vetëm votat e maxhorancës?
Jo, jo unë dhe në sjelljen time politike për çështje të rëndësishme kam kërkuar konsensus. Edhe kur kam qenë president, baza e sjelljes, substanca ka qenë për të kërkuar konsensus. Por çdo gjë ka një limit. Nëse nuk arrijmë konsensus, duhet të shkosh tek vota, nëse nuk e arrin me votë duhet të shkosh në referendum. Pse i trembet klasa politike referendumit. Në rast se kushtetuta është ndryshuar në 1998 me referendum, pse i tremben referendumit… pse i rrinë larg, sepse referendumi sjell me vete dhe verdiktin popullor. Por këta janë mësuar që të hyjnë në pazare, unë nuk e harroj 21 prillin e 2008 dhe e gjithë anomalia që ndodh sot në institucione është rrjedhojë e asaj dashurie të një nate vere , ndonëse ishte pranverë, 21 prill, për të bërë ndryshime në kushtetutë, ndryshoi demokracinë në Shqipëri. Sot ka një pushtet të pakufishëm të kryetarëve të partive. Madje të atyre që bëjnë ligjin në Shqipëri, ato që kanë vendimmarrje politike sot kanë një pushtet të pakufishëm.

A do ta komprometonte procesin, mungesa e konsensusit?
Sigurisht që mungesa e konsensusit do të komprometonte procesin kështu që të gjithë duhet të kenë patjetër më shumë respekt për ekspertizën.

Kjo reformë prek mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm.. e shikoni si një reformë që synon emra të përveçëm?
Unë nuk jam për ndërprerje mandatesh të institucioneve të rëndësishme. Sigurisht u takon atyre, po unë shpreh mendimin tim që varet edhe nga struktura e ndryshimit që do të ketë ligji, apo kushtetuta, por në esencë në parim unë jam për vazhdimësinë e mandatit të institucioneve të rëndësishme. Besoj që këtë e ka konstatuar edhe Komisioni i Venecias.

A mund të realizohet kjo reformë përmes blerjes së votës? A keni besim se do të prodhohet një reformë e shëndetshme, jashtë ndikimit të politikës?
Kjo është arsyeja pse them që ky lloj parlamenti, të cilin e vlerësoj si institucion por jo si përbërje, dy gjëra duhet të bëjë të jetë dakord në vullnet të çojë dorën dhe këtë e kanë e bërë së dyti të lërë ekspertët dhe në fund fare pasi të marrim mendimin e Komisionit të Venecias të gjithë në mënyrë formale të miratojnë reformën në drejtësi. Në rast se do të ndërhyhet nga politika me mendimin që disa politikanë janë shumë ekspertë të çështjeve juridike të jesh e sigurt që brenda ka paragjykime të natyrës politike. Ky proces mund të bëhet shumë i thjeshtë, ia kemi lënë në dorë ekspertëve, ekspertët janë edhe andej dhe këtej, por në moment që flasin ekspertë ndërkombëtar të institucioneve të specializuara, atëherë pse duhet të ndërhysh. Pastaj nëse do të flasim për ekspertët politikanë juristë në parlamentin e Shqipërisë, këtu është një problem tjetër.

Nuk keni besim tek ata..?
Unë nuk i njoh për herë të parë. Si ka mundësi tre apo katër njerëz që janë pjesa emblematike e përfaqësimit të një partie politike kane qenë në komisionin hetimor të 21 janarit.

Për kë e keni fjalën?
Njëri që iku nga PD që e merr qeveria paradoksalisht si ekspert, Ilir Rusmali, tjetrin Eduard Halimi ish-ministër i Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit Hetimor për 21 janarin, tjetri Enkelejd Alibeaj i njëjti pozicion, më thoni ku po shkojmë. A ka memorie politika dhe institucionet?

Për çfarë memorie e keni fjalën, kur asgjë për 21 janarin nuk është zbardhur, kështu që e gjithë drejtësia duhet të ketë një lloj përgjegjësie?
Ndoshta jam i vetmi zë që flet për 21 janarin, dhe pas pesë viteve. Për 21 janarin flitet një ditë para dhe gjatë ditës, nuk flet as njëri as tjetri. Ka dy linja 21 janari., është linja e drejtësisë institucionale që nuk futem fare ,është një ë drejtë e tyre të administrojnë provat, ti çojnë nga prokuroria tek drejtësia.. drejtësia në të tre shkallët e veta , por ka dhe një gjyq tjetër që këta e nisën dhe nuk e bitisën. Ndërtuan një komision famëkeq i cili u shty e shty disa herë dhe është i vetmi komision që e mbyll punën e vetë pa një raport. Mban njeri përgjegjësi për këtë punë? . Kjo është arsyeja pse unë i kam kërkuar parlamentit aktual ti rikthehet dhe ti bëjë gjyqin politik 21 janarit.

Çdo të thotë gjyq politik?
Gjyq politik është që në të gjithë debatet dhe funksionet që ka çdo lloj në institucioni brenda parlamentit shqiptar, se unë quaj institucion edhe komisionin hetimor, sepse ka një ligj për to, aty bëhet debate politik, aty futesh në fokus të debateve midis mazhorancës dhe opozitës, dhe ky është gjyqi politik.

Pse nuk po zbardhet kjo çështje pse nuk po e zbardh ai që e ka premtuar, zoti Rama?
Duhet të pyesni atë.

A është një justifikim deklarata e tij se drejtësia për 21 janarin do të vijë pas reformës në drejtësi?
Ne nuk jemi një shtet pa ligje. Nuk ka justifikim për këtë punë. Nuk ka justifikim nga askush për moszbardhjen e 21 janarit.

Nuk ka nevojë të bëhet. Çështja e sistemit të drejtësisë nuk është monopol i partive…
Parlamenti votoi ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore? A do të keni ju si forcë politikë propozime për ndryshime në kod?

Sot kë bëni përgjegjës për atë ngjarje?
Politika. Niveli i politikës për të mos qenë në gjendje të zgjidhë disa çështje që janë substanciale.
Parlamenti miratoi komisionin e reformës zgjedhore. Juve keni tashmë qëndrimet tuaja?
Ne duam që procesi të mos jetë politik. Zgjedhjet të janë politike dhe administrative, dmth që administrimi i zgjedhjeve të mos jetë politik por civil. Pra partitë politike të mos përfaqësohen me militantët e tyre. Sepse del një pyetje ku janë votat e atyre që nuk kanë përfaqësues në komisione? Duke që vazhdon inercia e një politike të vjetër monopoliste për të pasur në mënyrë të dhunshme dy krahë në politikë.

Mund realisht të bëhet kjo?
Sigurisht që jam skeptik sepse kanë filluar të dalin deklaratat e para që janë kundër këtij lloj administrimi jo politik, duan prapë politik. Kemi qenë për lista të hapura. Brenda një partie ti mund të jesh kryetar por kjo nuk do të thotë që dikush tjetër të ketë popullaritetin për të thithur më shumë vota se ty. Listat e hapura garantojnë demokracinë.

A jeni për ndryshim të sistemit. Pak kohë më parë për shkak të kontekstit politik që u krijua… u fol për kalimin në një sistem me prim… ju e mbështesni?
Nuk e mbështes sistemin me prim. Sepse edhe njëherë vëmendja shkon tek ata që duan klimën bipolare në vend. Ne jemi për sistemin që ekziston, pse jo do të ishim dhe për mazhoritar, por për të mos hyrë në mënyrë radikale në krejt sistemin ne jemi për këtë sistem por që te këtë korrektim kombëtar.

Si e vlerësoni Edi Ramën si kryeministër?
Njeri që është përpjekur shumë por për fat të keq pa ekip. Ai ka qenë edhe lojtar basketbolli që do të thotë është një sport që luhet në grup… që do të thotë pa psikologjinë e grupit, pa lojën e grupit, pa punën e grupit të harrojë dikush që mund të ketë sukses.

Pse mendoni që është pa grup ai ka besim tek qeveria e tij nuk ka bërë asnjë ndryshim deri tani?
Ju mendoni se grupi janë katër vetë apo dhjetë, jo jo, grupi është shumë i gjerë..

Për çfarë grupi e keni fjalën?
Grup ekspertësh, natyrisht grupi politik aty është sepse janë interesat politike, por këtu ka shumë ekspertë që ndjehen të braktisur dhe nga ky pushtet dhe nga tjetri. Koha e një qeveria për fat të mirë apo për fat të keq lëviz shumë shpejt, ikën shumë shpejt.

A jemi duke parë një qeverisje të sforcuar.. për shkak të një luftë të padukshme mes dy aleate kryesorë?

Është një çështje që e kam dëgjuar por kam preferuar që as të mos pyesë dhe të marrë informacion dhe as të mos interferojë. Çdo qeverisja çdo koalicion sikurse ka benefitet e veta ka dhe konsumin e marrëdhënieve.

A mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme?
Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse ky koalicion nuk është realizuar për arsye të të tjera për besoj vetëm çështje të interesit të qeverisjes së përbashkët dhe nëse do të ndahen, kjo do të ndodhë po për interesat e parealizuara dhe të pasintonizuara me njëra-tjetrën.

Mund të ketë interesa të tilla që na çojnë në zgjedhje të parakohshme pse e përjashtoni këtë?
Po në këndvështrimin tim do të vazhdojë inercia e këtij ekzekutivi deri në fund.

Jeni në aleancë me të majtët në nivel vendor. Si ka ecur ky bashkëpunim?
Sigurisht nuk ka ecur ashtu si ne e kishim menduar, megjithatë është një proces që po ecën.

Çfarë ka parashikuar aleanca juaj?
Nuk kemi qenë të limituar thjesht tek historia e administrimit të pushtetit vendor. Komunikimi ka qenë që krahas një aleancë për Shqipërinë europiane që do të bënte të mundur një konkurrim më efektiv të forcës sonë në kuadër të një koalicioni. Kemi kërkuar dhe çështje që kanë të bëjnë më ligjin elektoral por dhe me reforma të rëndësishme që zëri i FRD të jetë një zë dëgjohet brenda këtij koalicioni.

Jua ka plotësuar kryeministri Rama këtë kërkesë?
Jemi ende në probleme të administrimit të pjesës së parë që ka të bëjë me pushtetin vendor. Ka pasur besoj komunikime konstruktive në këtë mes, por ende të pamjaftueshme. Megjithatë çështja më e rëndësishme është vullneti për ta zbatuar , po çështje akoma më e rëndësishme është marrja e mendimit të FRD për ligjin zgjedhor. Shpresojmë që do të jemi pjesë e një konsulte përsa i përket asaj që kemi diskutuar me Zotin Rama në momentin që vendosëm të futemi së bashku në zgjedhjet për pushtetin vendor.

Keni besim e bëjë këtë pyetje duka pasur parasysh të zhgënjyer të tjerë?
Po ka një shprehje në momentin që minimalisht ka besim, njeriu tenton që ta vazhdojë bashkëpunimin. Nuk do kishte sens të vazhdonim në rast se nuk do kisha besim.

A është konsultuar deri tani Edi Rama me FRD, me ju për çështje të ndryshme të koalicionit apo te qeverisjes?
Jo. Jo, nuk ka qenë detyrim i tij dhe FRD nuk është pjesë e qeverisjes. Ne kemi konkurruar të vetëm dhe jemi parti e qendrës së djathtë, nuk jemi kompatibël me vizionin dhe opsionet politike që ka e majta, por kjo nuk do të thotë që dy forca politike të mos bashkëpunojnë për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me reforma madhore.

Si e shikoni opozitën sot?
Në një gjendje të mjerë, flas për opozitën institucionale, të mjerë. E them me keqaardhje. Unë nuk kënaqem që një parti politike që ndonëse në mjaft raste është pozicionuar si kundërshtare politike , në funksion të së djathtës shqiptare, natyrisht që kam keqardhje të madhe.

(ed.me/BalkanWeb)

vijon

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: