Partizani e ka prekur me një dorë titullin kampion për këtë sezon, arritje e cila pritet të gëzojë shumë breza sportistësh dhe tifozësh të kuq.

Njëri prej tyre është edhe ish-sulmuesi i ekipit të fundit, që ka dalë kampion në vitin 1993, Edmond Dosti, i cili ka edhe një këshillë se si duhet të veprojë skuadra në javët e mbetura. Për Dostin, Partizani duhet të luajë për veten dhe jo për aleancat.

“Partizani po shkon i sigurt drejt titullit kampion, duke i dhënë fund pritjes së gjatë. Në intervistat që kam dhënë për “Panorama Sport”, që në fillim të sezonit kam pasur besimin e plotë se ky është sezoni i duhur për ekipin. Kisha besim të plotë te strategjia që ndoqën drejtuesit në fillim, ku pjesë e saj ishte emërimi i Skënder Gegës si trajner, i cili duhet thënë se i ka kthyer ekipit identitetin me të cilin janë krenuar breza të tërë sportistësh dhe dashamirësish futbolli.

Ndonëse diferenca është 12 pikë me vendin e dytë, ekipi duhet të ketë kujdes deri sa ta sigurojë edhe matematikisht titullin. Kam besim se Partizani, me në krye trajnerin Gega, do të dijë ta ruajë ritmin duke vlerësuar çdo takim dhe duke mos e menduar diferencën me ndjekësit. Këshilla ime se çfarë duhet të bëjë Partizani në javët e mbetura është kjo: Ekipi të ruajë fytyrën e tij, të luajë siç ka bërë nga fillimi deri më sot, duke mos u përfshirë në aleanca.

Partizani duhet të luajë për dinjitetin dhe fanellën e tij, duke mos u bërë faktor përcaktues për verdiktet e mbetura. Partizani gjithnjë ka qenë i vetëm dhe ka luajtur për tifozët e tij, që nuk e kanë tradhtuar kurrë. Skuadra e Gegës të mos e vrasë mendjen për të tjerët, por të luajë siç ka bërë deri tani dhe që i ka ecur për mbarë”, u shpreh Dosti.

ÇFARË I DUHET- Ish-golashënuesi i të kuqve tregon se çfarë i mungon Partizanit për të formuar një ekip potent për Europë.

“Kërkesat e mia për Partizanin janë thuajse ato që kam shprehur edhe në merkatot e tjera, pasi ende nuk janë realizuar. Një ‘pykë’ është mëse i nevojshëm nëse Partizani kërkon të jetë rezultativ në Europë. Ky lojtar nuk mund të gjendet në Shqipëri, pasi bomberi i mungon gjithë Kategorisë Superiore. Gjithashtu, edhe një mesfushor që të luajë topin është i nevojshëm për në Europë dhe sezonin e ardhshëm.

Përforcime duhen edhe në mbrojtje, ku krahu i djathtë nuk e ka një alternativë të mirëfilltë, si dhe një qendërmbrojtës me vlera. Atanda mund të ketë bërë mirë në kampionat, por për në Kupat e Europës steka është më e lartë.

Them se klubi duhet ta ketë nisur punën për këtë përfaqësim, pasi Partizani ka nevojë për 3-4 ‘kokrra’ cilësore, pasi me një prezantim serioz në Europë, shtohen të ardhurat, rritet vlera e lojtarëve dhe e klubit. Modeli i menaxhimit për një klub shqiptar në Europë ekziston dhe ai është Skënderbeu, që shkoi dy herë në fazën e grupeve në Ligën e Europës”, përfundoi ish-sulmuesi i Partizanit./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb