Trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, që nuk kanë marrë dëmshpërblimin e këstit të tretë duhet të dorëzojnë disa dokumenta në Ministrinë e Financave. Janë në total 5 mijë përfitues, dosjet e të cilëve janë shqyrtuar nga Drejtoria e Pagesave nga janari deri në tetor të vitit të shkuar. Burime zyrtare nga ministria bëjnë të ditur se trashëgimtarët njihen si përfitues, por kanë mangësi në dokumentacion. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot listën e përfituesve me të gjitha detajet për çdo dosje.

Në listën e publikuar shënohet me “V” në rastet kur dokumenti është në rregull, me X kur është gabim dhe është kolona bosh kur dokumenti nuk është paraqitur.

Dokumentet
Të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, (emër/mbiemër), apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një germë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet, emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës, apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Ligji parashikon edhe rastet e ekzekutimeve pa gjyq. “Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative e lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëjë një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave. /Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb