TIRANË- Ndenjën pa bukë, u vetëflijuan duke u djegur të gjallë dhe tashmë tentojnë të vrasin veten, duke prerë publikisht damarët. Dramat e ish-të përndjekurve politikë duket se nuk kanë të sosur. Kjo shtresë, ish-të përndjekurit politikë kanë protestuar sot para parlamentit të Shqipërisë për dëmshpërblimet, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare.

Një prej tyre, Edmond Vokshi pasi ka dhënë një deklaratë para gazetarëve, ka prerë damarët e dorës së majtë me thikë. Protestuesit e tjerë janë afruar dhe një prej tyre i ka dhënë ndihmën e parë, duke i lidhur dorën me gjak. Më pas ka ardhur ambulanca, që e ka transportuar në spital. Edmond Vokshi ka thënë para gazetarëve se është djali i xhaxhait të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.  “Na del Albana Vokshi demokrate. Familja e saj komuniste. Unë jam djali i xhaxhait”, ka thënë Edmond Vokshi. Dyshohet se ish-i përndjekuri ishte në gjendje të dehur.

I dënuar nga regjimi komunist Edmond Vokshi, nuk mundi të përfitonte statusin A1, ndërsa sot përballet me pamundësinë për të rritur pesë fëmijë!

Regjimi komunist nuk kurseu askënd, madje dhe në vitet e fundit të degradimit të tij ai mori jetë njerëzish dhe shkatërroi të ardhmen e mijëra familjeve shqiptare dhe një rast është edhe Edmond Vokshi.

KUSH ËSHTË ISH-I PËRNDJEKURI EDMOND VOKSHI, PROFILI

I dënuar nga regjimi komunist Edmond Vokshi sot përballet me pamundësinë për të rritur pesë fëmijë!

Regjimi komunist nuk kurseu askënd, madje dhe në vitet e fundit të degradimit të tij ai mori jetë njerëzish dhe shkatërroi të ardhmen e mijëra familjeve shqiptare dhe një rast është edhe Edmond Vokshi.

Edmond Vokshi, i dënuar nga regjimi komunist më 1988 për propagandë, ku një vit të burgut e kaloi në burgun famëkeq të Spaçit dhe pas një tentative për të vrarë veten dërgohet në spitalin e psikiatrisë në Elbasan, ku dhe lirohet më 1990 më statusin A1.

Edhe bashkëshortja e tij, Anila Vokshi (Paja) u dënua nga regjimi komunist me pesë vite burg me akuzën tradhti ndaj shtetit dhe vitet e fundit të regjimit komunist i bëri me punë korrektuese përveç tre viteve e burgosur politikisht nga regjimi komunist.

Kaq vite burg u deshën për familjen Vokshi që të vuanin një jetë të tërë  me pesë fëmijë sa dhe sot nuk kanë një shtëpi, një punë dhe çdo ditë e jetojnë me besimin se diçka do të bëhet për të përndjekurit politik dhe shpresa i ka mbajtur në këmbë, por jo më, pasi shpesh herë mendon të vetëvritet në pamundësi për të përballuar jetën.

Ai sot e di spiunin që e ka denoncuar, madje është dhe i pushtetshëm, por ka zgjedhur të ndëshkojë veten sesa atë që e ka burgosur dhe shpresën e ka nga shteti! Edhe ligjin për hapjen e dosjeve e ndjek me interes, por për të nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe pasi e njeh persekutorin e tij, problem mbetet e ardhmja e familjes së tij.
REAGON MMSR: EDMOND VOKSHI ËSHTË DËMSHPËRBLYER ME 1.194.000 LEKË

Pas protestës së sotme përpara ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë sqaron se ish i dënuari politik, Edmond Vokshi, i cili ka vuajtur 17 muaj burg, është dëmshpërblyer me 1,194,000 lekë gjithsej.

MMRS bën të ditur se në të kaluarën, Vokshi është trajtuar me ligjet që kanë qenë në fuqi dhe ka përfituar ndër vite: 700,000 lekë letra me vlerë dhe 200,000 lekë pagesë në dorë.
“Ndërkaq, diferenca e mbetur prej rreth 300,000 lekë i është hequr pasi gabimisht, nga qeveria e kaluar, i është përllogaritur edhe një shtëpi, të cilën z. Vokshi e ka përfituar dhuratë nga CAFOD, me vlerë rreth 20 milionë lekë. Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë e ka adresuar problemin e z. Vokshi për zgjidhje pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila është duke përgatitur VKM-në përkatëse që do të bëjë korrigjimin e problemit të krijuar, duke mos e llogaritur vlerën e shtëpisë që ai ka marrë dhuratë nga CAFOD. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë vazhdon shpërndarjen e këstit të katërt për ish të burgosurit politikë dhe brenda muajit mars do të nisë dhënien e këstit të pestë.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb