Finalizohet operacioni policor i koduar “Mobitech”, si rezultat i kontrolleve të Policisë, në subjekte të ndryshme ekonomike, kundër paligjshmërive financiare.
Mësohet se në 2 dyqane në Lezhë, janë sekuestruar 217 celularë me vlerë rreth 70 000 euro, që tregtoheshin pa fatura, ndërkohë që në pranga ka rënë administratori i bizneseve.
NJOFTIMI I POLICISE
Si rezultat i kontrolleve në biznese në rrethin e Lezhës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën ekonomiko-financiare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ata të Seksionit të Mbështetjes Operacionale, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mobitech”.
Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në disa dyqane për shitjen dhe riparimin e pajisjeve elektronike, në qytetin e Lezhës, ku në dy prej tyre, me administrator shtetasin V. A., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 217 celularë në total, me vlerë rreth 70 000 euro, të pashoqëruar me dokumentet justifikuese që vërtetojnë origjinën e mallit, si certifikatë autenciteti, deklarata doganore apo kontrata furnizim/blerje të tyre.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në këto dyqane, u konstatua që 3 nga punonjësit ishin të pasiguruar. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi V. A., 37 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm”, “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.