Bashkia Shkodër ka miratuar buxhetin për vitin 2016, ndërkohë për Klubin e Futbollit Vllaznia është parashikuar në buxhet një shifër prej 200 milionë lekësh. Tashmë pritet që ky buxhet t’i kalojë klubit për të shpërndarë atë çka i detyrohet lojtarëve dhe më pas të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Debatet gjatë mbledhjes nuk kanë munguar, teksa ka pasur zëra kundër për shifrën prej 500 milionësh të miratuar për sportin, ku përfshihet klubi i futbollit, mirëmbajtja e stadiumit “Loro Boriçi” si dhe sportet e tjera, si basketbolli, volejbolli, atletika etj.

Miratimi i një shifre të tillë nuk ka gjetur mbështetjen e të gjithëve, ndërkohë ka pasur edhe nga ata që nuk janë ndarë të kënaqur nga 200 milionët e dhëna për Vllaznisë, e konkretisht ishsulmuesi legjendar i kuqebluve Vioresin Sinani që është shprehur se shuma e miratuar nuk mjafton për synimet që kanë shkodranët.

Ndërkohë, në seancën e djeshme stërvitore të Vllaznisë ka qenë i pranishëm edhe administrator Astrit Gjyrezi, i cili ka pasur edhe një bisedë me lojtarët, duke u premtuar atyre garanci financiare deri në fund të sezonit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: