Teksa kemi hyrë në stinën e dimrit, Instituti i Shëndetit Publik sjell një sërë këshillash, sidomos për fëmijët e të moshuarit, për të mbrojtur shëndetin nga i ftohti. Ndërkohë që, “Gazeta Shqiptare” publikon të plota materialet e propozuara nga ky institucion. Gjatë dimrit, organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35 gradë C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet, duke rrezikuar shëndetin.

Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara, si koka, këmbët e duart, mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë, duke u bërë gri dhe të padhimbshme. Nëse kryeni sforcime fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës. Dimri dhe temperaturat e ftohta mund të dëmtojnë shëndetin tuaj, por ju mund të ndiqni këto këshilla:

– Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.

– Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë, dhe sidomos kur jeni lagur. Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës.

– Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.

– Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe frutat përmbajnë vitamina e minerale

– Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi. Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23 gradë C dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë, për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë te radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme, ashtu si edhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizimin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.

Kujdesi për foshnjat dhe fëmijët
Sa më të vegjël ata, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh, rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigjja e organizmit të tyre nëpërmjet termorregullimit dhe aftësia e tyre për të komunikuar ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese të mos harrohet dhënia e lëngjeve, për të garantuar hidrim të mirë të tyre. Nëse duhet ta nxirrni foshnjën, kini parasysh:

– Mbulojeni mirë duke e veshur me disa shtresa rrobash dhe vendosini gjithnjë një kapele në kokë, pasi rreth 30% e humbjes së energjisë vjen nga koka.

– Mbajeni larg vendeve të lagështa dhe me korrente ajri.

– Mos e mbani foshnjën në mbajtëse si të ‘kangurit’, pasi qarkullimi i gjakut ngadalësohet dhe kjo favorizon ngrirjen e këmbëve.

– Rekomandohet që foshnja të transportohet në një karrocë apo mbajtëse si shtrat, në mënyrë që të lëvizë lehtësisht, duke pasur një qarkullim të rregullt gjaku.

– Merrni gjithnjë me vete pije apo ushqime të ngrohta (nëse ka filluar ushqimet shtesë), ndërresa dhe mbulesa rezervë.

– Nëse foshnjat në 6 muaj sëmuren, drejtohuni menjëherë te mjeku.

Rekomandime shtesë për fëmijët më të rritur
– Ushqyerja duhet të jetë sa më e larmishme, me ushqime nga të gjitha grupet e ushqimeve.

– Konsumoni 5 vakte ushqimore: një mëngjes i pasur (bukë, qumësht, mjaltë, vezë etj.).

– Fruta apo perime proteinike (të freskëta, të pjekura apo lëng i shtrydhur).

– Dreka me ushqime proteinike (mish, peshk, shpendë, fasule, thjerrëza), karbohidrate (bukë, oriz, makarona etj.) e perime të ndryshme.

– Fruta, perime, kos apo akullore (ka veti inflamatore).

– Darka me ushqime të variueshme. Për shembull, supa e pulës është shumë e këshillueshme gjatë dimrit, pasi përmban proteina të tretshme dhe ka veti antiinflamatore, rehidruese (sidomos kur janë me grip), ofron nxehtësi dhe fluidifikon mukozat (shkrin sekrecionet).

– Mbani gjithnjë të pastra duart e fëmijëve, duke i larë me ujë e sapun për rreth 20 sekonda, sa më shpesh, sidomos para ushqyerjes apo pas përdorimit të tualetit.

– Mbani të lira rrugët e frymëmarrjes, duke i mësuar të fryjnë mirë hundët dhe duke përdorur ujë fiziologjik për t’i liruar ato. Nëse hundët janë vazhdimisht të zëna, atëherë mund të nevojitet dhe terapia me aerosol apo avuj të thjeshtë me solucion fiziologjik. Rekomandohet të përdoren facoleta me një përdorim, të cilat duhet të hidhen në kosh pas përdorimit, për të evituar kontaminimin e të tjerëve.

– Evitoni kontaktet me të sëmurët. Për këtë nuk rekomandohen të çohen fëmijët në vende ku ka shumë grumbullime, si bebi-baret apo qendrat tregtare, pasi atje rrezikojnë të infektohen me viruse të ndryshme.

– Siguroni qëndrimin e tyre në ambiente me temperaturë 21-23 gradë C dhe ajrosini të paktën 2 herë në ditë.

– Fëmijët kanë gjithashtu nevojë të dalin të luajnë në ajër të pastër dhe të ekspozohen në diell. Zgjidhni orët më të ngrohta gjatë ditës dhe kujdesuni të mos djersiten, ndaj rekomandohet të vishen me disa shtresa, që të hiqen nëse duhet.

Çfarë duhet ngrënë gjatë dimrit dhe të ftohtit
– Pini të paktën 2 litra lëngje gjatë ditës (përjashtohen vetëm rastet kur mjeku ua rekomandon për shkak të ndonjë sëmundjeje). Preferoni pije të ngrohta si çaji, por edhe supat dhe lëngun e portokallit të shtrydhur.

– Hani sa më shumë fruta dhe perime, që janë të pasura me vitamina dhe kripëra minerale, të domosdoshme për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe sëmundjet që ai mbart. Në përgjithësi rekomandohen të gjitha ushqimet që përmbajnë vitaminë E, C dhe betakaroten (paraardhës i vitaminës A), të afta për të stimuluar mbrojtjen imunitare. Nga perimet që përmbajnë betakaroten dhe vitaminë C përmendim: karotat, kungullin e dimrit, patatet, lakrat, domatet, specat, panxharin, lulelakrën, brokolin, spinaqin, radhiqet, preshin, qepën, hudhrën etj. Ndër frutat përmendim boronicat, agrumet, pjeprin, bananet, gështenjat etj. Nga ushqimet që përmbajnë vitaminë E përmendim bajamet, lajthitë, vajin e ullirit etj. Që këto ushqime të ruajnë vlerat e tyre ushqyese dhe terapeutike, rekomandohen të konsumohen sa më të ‘gjalla’ dhe të stinës.

– Ushqime të tjera të këshilluara janë bishtajoret e thata, si fasulet dhe thjerrëzat, të cilat furnizojnë me energji, proteina dhe fibra, e për të tepër janë të ngrohta. Po ashtu, gjellët apo supat me perime apo lëng mishi ose peshku janë të rekomanduara, pasi ju furnizojnë me energji, proteina dhe vitamina. Qumështi dhe mjalti janë gjithashtu të rekomanduara gjatë dimrit, përveçse te personat që vuajnë nga diabeti.

– Shmangni pirjen e pijeve alkoolike dhe super alkoolike, pasi ndonëse duket se fillimisht ju ngrohin, por në të vërtetë ato mund të shkaktojnë humbje të energjisë që prodhon trupi, duke favorizuar kështu hipoterminë.

Këshilla kryesore drejtuar të moshuarve
– Dieta ushqimore është e rëndësishme

– Duke ngrënë ushqime të shëndetshme dhe duke u ekspozuar në diell, kur është e mundur, ndihmoni në shëndetin e kockave. Gjatë përgatitjeve për stinën e ftohtë, sigurohuni që të keni ushqimet e domosdoshme, si qumësht i konservuar, patate, oriz dhe makarona, si dhe ushqime të konservuara (peshk ton e mish kutie). Jeni 80% më të rrezikuar nga gripi apo ftohja në dimër nëse nuk keni imunitet të fortë. Prodhimet si djathi, qumështi dhe kosi janë burime të shkëlqyera të proteinave dhe vitaminave A dhe B12.

– Kini parasysh të kontrolloni medikamentet që ju merrni

– Sigurohuni që t’i keni në shtëpi ilaçet që ju merrni. Kushtojini kujdes të veçantë kur ju merrni katër apo më shumë medikamente. Konsultohuni dhe rishikoni mjekimin me mjekun e familjes si dhe sigurohuni të keni në shtëpi mjekime për probleme të tjera shëndetësore të zakonshme.

Bëhuni pjesë aktive e komunitetit ku banoni
– Kjo do t’ju ndihmojë për të mos u izoluar në vetminë tuaj. Qendrat komunitare mund të bëhen burim mjaft i dobishëm informimi rreth aktiviteteve lokale. Në mungesë të tyre, përfshihuni në shoqërinë e komunitetit të komshinjve në pallatin ku ju banoni.

– Kujdesuni të pini sasi të mjaftueshme lëngjesh

– Përpiquni të konsumoni sasinë e nevojshme të lëngjeve (ujë, pije freskuese) dhe kujdes me sasinë e alkoolit që konsumoni, sepse në moshën e pleqërisë ju bëheni më të prekshëm nga efektet e tij. Rekomandohet që duhet të konsumoni 6-8 gota lëngje në ditë, ku përfshihen si lëngje të ngrohta, ashtu edhe të ftohta.

Ambienti ku jetoni
Temperatura ideale që duhet mbajtur në shtëpi është 21 gradë C dhe mundësisht duhet mbajtur konstante. Nëse temperatura e dhomës është shumë e ulët, kjo mund të rrisë rrezikun e kalimit të trupit tuaj në gjendje hipotemie si dhe rrit rrezikun për kriza zemre. Megjithatë, nëse temperatura e dhomës bëhet mjaft e lartë, kjo mund të bëjë që ju të keni vështirësi në frymëmarrje, të ndiheni të lodhur e të këputur. Vishni triko kur shkoni nga një dhomë e ngrohtë në një më të ftohtë.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: