Me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është arrestuar Kreshnik Farruku.
Ai ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pas vetëdorëzimit në polici. Por, mbrëmë është prangosur nga ana e efektivëve, pas një urdhri të SPAK. Lajmi bëhet me dije për Balkanweb nga gazetarja Klodiana Lala.
Kujtojmë se Kreshnik Farruku, njohur si kreu i klanit “Farruku” së bashku me vëllanë e tij Erneo Farruku ishin duke pritur në “arrest shtëpie” ekstradimin drejt Italisë, ku do të gjykoheshin për akuzat “organizatë kriminale” dhe “trafikimi i lëndëve narkotike”.
Vendimi u mor më datë 7 janar të këtij viti nga Gjykata e Durrësit, e cila miratoi arrestin e përkohshëm të 51-vjeçarit, njohur edhe me emrin Kreshnik Budlla, për të cilin Gjykata e Brescias në Itali kishte caktuar masën e “arrestit me burg”.
Dy vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku, pjesë e klanit Farruku u vetëdorëzuan në Policinë e Durrësit, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në shtetin italian.
(Balkanweb)