TIRANË- Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë i 26-vjeçarit Kreshnik Daci, lindur në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim prej gati 5 vitesh.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me Vendim Nr. 425, datë 18.07.2011, e ka dënuar me 6 vite burg,  për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

“Gjatë operacionit të koduar “Shtegtari i natës” zhvilluar më 31 gusht 2010, Daci, i cili ishte në vëzhgim nga policia pas informacioneve se shiste kanabis, pasi ka zbuluar se po ndiqej nga blutë ka hedhur në tokë një qese me “Canabis sativa” dhe është larguar.

Po në vitin 2010, Kreshnik Daci në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë dyshohet se kanë kryer vjedhjen e një lokali.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në Itali u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, 26-vjeçari iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: