Karabinierët në Raguza kanë arrestuar një 28-vjeçar shqiptar, të akuzuar për shpërndarje droge dhe si të përfshirë në një konflikt fizik në Piazza San Giovanni.
Operacioni është zhvilluar dhe me mbështetjen e një helikopteri dhe përdorimin e njësive të qenve. 28-vjeçari, i cili rezulton i dënuar për krime në lidhje me shitjen e lëndëve narkotike, akuzohet se mbrëmjen e 14 gushtit në shoqërinë e bashkatdhetarëve të tjerë, ka sulmuar një burrë dhe pasi e ka rrahur dhunshëm i ka vjedhur celularin, çelësat e shtëpisë dhe portofolin.
I plagosuri, i cili përfundoi në spital identifikoi agresorin e tij dhe pas kësaj karabinierët nisën një sërë kontrollesh, nga të cilat u gjet një sasi e madhe marijuane, një peshore precize dhe një shumë parash. Gjatë kontrolleve u arrestua një prej vëllezërve të të kërkuarit. 28-vjeçari shqiptar është dërguar në paraburgim, ku do të qëndrojë në pritje të vendimit.