Ish-deputeti Ervis Salianji tha në emisionin “Real Story”, në News24, se dy prokurorët Kolë Hysenaj dhe Genci Qana janë vendosur qëllimisht për të gjykuar çështjen në ngarkim të tij të njohur si “Babale”, për të cilën Prokuroria kërkoi sot 1.6 vite burg për ish-deputetin.

“Të dy prokurorët janë vendosur qëllimisht. Ju duket rastësi, që Kol Hysenaj është edhe te çështja e Bashës, edhe te protestuesit, edhe tek unë, pra është kudo ku është PD”, tha Salianji.

Ndërkohë, analisti Agron Gjekmarkaj deklaroi se të dy këta prokurorë po bëjnë maksimumin, që t’ia hedhin Vettingut.

Gjekmarkaj: Të dy prokurorët po bëjnë maksimumin, që të marrin një vlerësim pozitiv në Vetting. Dy-tre elementë na tregojnë se shteti dhe pushteti janë bërë një dhe institucionet kanë dorë të rëndë ndaj opozitës. Janë në sintoni me retorikën e propagandës së Rilindjes.

Ishte një turp për ministrin e Brendshëm të kohës, për qeverinë, mënyra si u paketua dhe dërgua jashtë rasti i Geron Xhafajt. E dyta, kemi edhe një polici që nuk është larg strukturave mafioze.

Tjetër element është përjashtimi i kryeministrit në gjithë këtë histori, si dhe mosmarrja në konsideratë e zërit në Angli dhe Itali. E gjitha është një butafori e trishtë që dëshmon se institucionet janë nën kthetrat e politikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb