Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se projekti te busti prane lulishtes te Selvia, si shumë të tjerë në kryeqytet, nisi fillimisht me debate politike, por përfundoi me sukses dhe u përqafua nga të gjithë.

“Nga zemra buron vetëm mirënjohje për të gjithë ata që e kanë rrethuar me shumë dashuri këtë projekt. Një projekt që filloi me sherr, si shumica e gjërave të bukura në Shqipëri, me shamatë, me përplasje me politikanë që kishin bingo, baste, dyqane, që ia kishin hipur sipër Vojo Kushit, si Vojo Kushi tankut. Tani të gjitha duken të kaluara, strese që i përkasin të shkuarës, sidomos kur një punë del mirë dhe ka duk”, tha ai. 

Veliaj nënvizoi se e drejta dhe e mira fitoi, pavarësisht lidhjeve me politikën të atyre që kishin ndërtuar pa leje në hapësirat publike. “Ata që kishin kioskat ishin të gjithë të lidhur me politikën, të lidhur me të fortë, me lloj-lloj interesash, kështu që, edhe puna nën trysni ka qenë jashtëzakonisht sfiduese, por në finale fitoi e drejta, fitoi e mira, fitoi çlirimi dhe jo zaptimi, fitoi puna, edhe jo dhuna”, u shpreh kryebashkiaku.

Gjatë këtyre 4 viteve, Njësia 8 në kryeqytet ka qenë një nga përfitueset më të mëdha të investimeve, në zona ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh. “Është ndoshta një nga njësitë më të bekuara të Tiranës. Përballë shoh Pazarin e Ri, mbrapa kam shkollën “Servete Maçi”, ndaj jam shumë i kënaqur që, në këto vite, Njësia 8 ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Tani kufizohet edhe me Bulevardin Zogu 1, ku po bëjmë një transformim të madh për ta kthyer në një rrugë shopping-u apo me Bulevardin e Ri, ku shumë shpejt do të përqendrohet zona financë-teknologji e Tiranës”, tha ai. 

“Kjo është një punë që ka duk, është pjesë e planit të Bashkisë për të rregulluar disa hapësira të vogla. Po punojmë edhe te Medreseja, te Kafe Flora. Kush lëviz nëpër Tiranë ka parë që gjithë këto hapësira po transformohen dhe gjenerojnë energji pozitive në komunitet”, theksoi Veliaj. 

Veç rehabilitimit të lulishtes tek “Selvia” dhe çlirimit të bustit të heroit kombëtar, Vojo Kushi, në prag të 75-vjetorit të çlirimit të vendit, ka nisur edhe fushata e mbjelljeve. “Më vjen mirë që nisim këtu me mbjelljen e një peme fushatën tonë të mbjelljeve, që këtë vit jam i sigurt se do të kalojë çdo rekord. I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, duke filluar nga ata të Selvisë ku ne mbjellim sot pemët e para, e deri tek ata që janë më në periferi, ku po bëjmë pyllëzimet masive, si në Allgjatë, në Dajt apo Farkë, që të përgatitemi të mbjellim pemë për ditëlindjet, për përvjetoret, për gjithë përkujtimet që kemi, për 75-vjetorin e çlirimit, për Krishtlindje, Vitin e Ri, e çfarëdolloj sebepi”, theksoi Veliaj. 

Deputeti i PS, Ervin Bushati vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për t’ia kthyer komunitetit hapësirat e zaptuara padrejtësisht. “Fëmijët e populluan direkt sheshin, kjo tregon se sa e suksesshme ishte kjo lëvizje e bashkisë, të cilën e falenderoj shumë për vullnetin e madh dhe durimin. Kemi qenë këtu para një viti, kemi mbjellë selvi, dhe kemi biseduar atëherë që kjo zonë vetëm si selvi nuk duket, sepse ishte totalisht e pushtuar nga mjedise private. Janë disa zona që po i kthehen publikut dhe shpresoj që ashtu si Bashkia po ia kthen hapësirat publike, ashtu edhe njerëzit t’i popullojnë ato”, theksoi Bushati. 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb