KOLUMBI- Në shikim të parë është një parajsë një ishull në Karaibe, me palma, rërë të bardhë, ujë të kristaltë dhe e paprekur nga turizmi, por ka një sekret të frikshëm, ai “zhduk” njerëzit.

“Old Providence” është një ishull i vogël që ishte kolonizuar nga britanezët në vitin 1629, kurse tani është pjesë e Kolumbisë, dhe shtrihet në afërsi të bregut Nikaraguas, por gjuha bazë ende mbetet një “anglishte e thyer”, transmeton Koha.net shkrimin e BBC.

Ishulli numëron rreth 5-6 mijë banorë, kurse ata ndihen më shumë karaibian sesa kolumbian, dhe për një kohë të gjatë ky vend nuk është prekur nga trafikantët narkotik të Kolumbisë, por këtu qëndron një problem tjetër. Rreth 800 persona janë zhdukur deri më tani.

“Ne jemi duke i humbur njerëzit tanë. Sipas hulumtimeve të mia, të paktën 800 persona janë burgosur në burgjet jashtë vendit ose thjeshtë janë zhdukur”, ka thënë një vendas i ishullit për BBC, i cili ka dashur të qëndrojë anonim, transmeton Koha.net.

Fakti është se ishulli nuk mund të qëndrojë imun ndaj problemeve të Kolumbisë përgjithmonë, dhe disa vjet më parë, trafikantët e drogës kishin zbuluar se ishullorët ishin detarë të shkëlqyer, me njohuri të paçmueshme për ujërat përreth të trashëguara nga paraardhësit e tyre.

“Ata janë hapi i fundit i tregtisë së trafikimit të drogës. Ishullorët e njohin oqeanin më mirë se kushdo tjetër, kështu që janë punësuar si pilot në anije të shpejta për trafikimin e drogës”, ka thënë gazetari Amparo Ponton, i cili ka jetuar në këtë ishull për 25 vite.

Nëse ata arrijnë në vendin që janë nisur, atëherë marrin disa para të mira, por nëse kapen atëherë përfundojnë në burg. Kurse më pas duhet t’iu japin llogari edhe shefave të drogës.

Trafikimi i drogës së Kolumbisë ka shkaktuar deri më tani shumë tragjedi, dhe zhdukja e njerëzve është njëra nga ato.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: