NGA Fatmira NIKOLLI

TIRANE- Dy muaj më parë e kisha takuar shkrimtarin në “Bar Juvenilja”, ku ulet çdo ditë me botuesin e tij Bujar Hudhri, në kohën që qëndron në Tiranë.

Në fund të një bisede të gjatë e ndërprerë nga fotografitë e lexuesve që vijnë e takojnë, e pyeta nëse këtë herë do të bënim një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Ismail Kadare më tha, jo. Ma tha me shumë mirësjellje, por edhe kjo “pendë e lehtë pupël” më rëndoi. Me gjithë tërë arsyet e mosarsyet që kishte për të mos dhënë një intervistë, për një gazetar refuzimi mbetet refuzim. E mohuar, pra. Dhe nuk ishte hera e parë! Nuk u mërzita aq sa për ta tradhtuar veten e vijuam bisedën. Madje, Bujari na shkrepi edhe dy a tri foto, meqë u ankova se nuk dilnim qartë.

Kaluan dy muaj.

Në fundkorrik shoh një letër të shkrimtarit drejtuar diktatorit. Nuk e dija në kishte një të tillë, ndaj pyes një mjeshtër arkivash, nëse dokumenti qe i vërtetë. Ai ma pohon dhe diç më sqaron për të.

E kontaktoj shkrimtarin dhe i kërkoj tanimë jo thjesht një intervistë, por një intervistë për këtë letër. Kishte shumë pyetje për të cilat doja përgjigje, jo vetëm si lexuese e tij, e as vetëm si gazetare, por edhe si një njeri që e ka takuar disa herë, që ka folur shumëçka për t’i lënë në atë tavolinë. I them se heshtja nuk është me vend edhe se shpesh heshtja e tij u jep zërave të tjerë fuqi. Më kish thënë një herë se më të rrezikshme se gënjeshtrat janë gjysmë të vërtetat. Ia them edhe këtë, duke e cituar.

Pas disa ngulmimesh, pranon të më presë në rezidencën e tij në Durrës. Ende nuk e besoja se biseda do shihte dritën e botimit, se do mundej pra të botohej, pas shumë çështjesh që herë pas here m’i kish sqaruar, por në konfidencë.

E gjej Kadarenë vetëm në shtëpi dhe ulemi në verandë. Në fillim nuk ndihesha rehat, në mendje kisha pyetje tejet të sikletshme për t’i drejtuar. Nuk qe një bisedë dosido, as vetëm për letërsinë, duhej ta pyesja për një letër që po interpretohej në shumë mënyra. Në të fliste për të motrën, çfarë ma vështirësonte shumë edhe formulimin. Por, me gjithë peshën që mund t’i ketë dhënë Ismail Kadaresë kjo letër, më pret shumë mirë dhe më përgjigjet për gjithëçfarë e pyes.

E nis me pyetjen nëse kjo letër qe e vërtetë, e ndërsa cigaret ndizeshin e fikeshin njëra pas tjetrës, biseda për orë të tëra hedh dritë si më poshtë për ngjarjen e 1980-ës.

“Kjo është e vetmja letër që unë i kam shkruar E.Hoxhës. Ishte thënë për Hoxhën diçka tepër e rrezikshme, për të cilën të ikte koka. Nuk jam penduar që e kam shkruar. Nuk e kam fshehur një zemërim timin me motrën në atë letër.

Në atë që unë them se ka qenë e ç’ekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje, që mund t’i bëja”, thotë ai.

I sqaron rrethanat në të cilat u shkrua letra pothuaj 40 vite më parë, jo pa njëfarë zhgënjimi për mënyrën se si pjesë dosjesh publikohen.

Kadare pranon të përgjigjet mbi raportin me të motrën, mbi presionet e dilemat pse letra doli tani dhe nga kush doli, baltën që hidhet sot e rrezikun e kahershëm, duke mohuar që është penduar pse i ka shkruar diktatorit, pasi siç Kadare shprehet: Vetëm Enver Hoxha mund të të mbronte nga Enver Hoxha.

Katër dekada pasi letra u shkrua, (pa marrë atëkohë një përgjigje nga Hoxha), një debat i bujshëm ka shpërthyer në Tiranë, teksa faksimilet e dorëshkrimit të Kadaresë qarkullojnë në media e rrjetet sociale.

E pyes shkrimtarin, nëse gjithë kjo e bezdis.

“Bezdisje apo jo, e vërteta qëndron midis të dyjave. Bashkë me dilemën e përhershme: a është mirë që të ketë gjithmonë një sqarim të gjërave?”, thotë ai.

Për të, sqarimi qëllon që e zmadhon zhurmën dhe shumë njerëz parapëlqejnë heshtjen. “Nga ana tjetër, një personazh ka një lloj përgjegjësie përpara publikut, në fund të fundit, në gjuhën shqipe fjala përgjegjësi, ashtu si në gjuhët kryesore të Europës, vjen nga fjala ‘përgjigje’. Pra, përgjigjja gjithashtu është e nevojshme. Shpresoj që biseda me ju të ketë hyrë në punë, veç të tjerash, për një gjë të tillë”, përfundon shkrimtari i njohur Ismail Kadare, intervistën për “Gazetën Shqiptare”.

-Zoti Kadare, në media qarkullon një letër, që ju i keni dërguar Enver Hoxhës, më 1980. Është e vërtetë kjo letër? I keni dërguar letra të tjera diktatorit?

Kjo është një letër e vërtetë, shkruar me dorën time. Madje, është faksimile e vetme. Është shkruar më 1980 dhe është letra e vetme që i kam dërguar në jetën time Enver Hoxhës. Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues.

Intervistën e plotë mund ta lexoni tek Gsh.al duke klikuar në linkun:

http://www.gsh.al/2017/08/03/ekskluzive-kadare-letra-ime-e-vetme-per-enverin-motra-desh-me-mori-ne-qafe-ja-pse-e-quajta-te-cmendur-e-plote/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: