Familja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ka ndjekur interpretimin e tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj, në operën “La Traviata”, që po shfaqet në Operën Kombëtare të Parisit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ramë Lahaj ndan emocionet e tij për pjesëmarrjen e familjes së shkrimtarit në shfaqje dhe e falënderon familjen Kadare për ftesën për të kaluar një mbrëmje së bashku.

“Dikur Ismail Kadarenë e njihja vetëm si një prej shkrimtarëve të mëdhenj, ndërsa kësaj radhe kënaqësia e të rikthyerit në Operën e Parisit më dha edhe nderin të kem prezent familjen Kadare në njërën prej shfaqjeve të mia. E veçantë të kalonim një mbrëmje bashkë dhe ju faleminderit për ftesën”, shkuan tenori Ramë Lahaj në Facebook.

Tenori shqiptar Ramë Lahaj, gjatë muajit shkurt po interpreton në operën “La Traviata”, të Giuseppe Verdit në Operën Kombëtare të Parisit. Premiera e kësaj opere ishte më 2 shkurt, ndërsa pritet të ketë edhe shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsej 8 shfaqje.

I lindur në Istog të Kosovës, në vitin 1983, Ramë Lahaj, aktivitetin e tij profesional muzikor e filloi në moshën 21 vjeçare, atëherë kur u regjistrua në Akademinë e Arteve të Tiranës, në klasën e profesorit, baritonit shqiptar Burhan Spahiut dhe me konsultime të herë pas hershme me sopranon Suzana Frashëri.

Rruga e depërtimit në skenat operistike europiane filloi në vitet 2010/2011 me konkurimet në audicione të shumta operistike, ku afërsisht në 90 përqind të këtyre konkurimeve ka qenë fitues. Pas debutimit dhe realizimit të suksesshëm të rolit sfidues të Alfredo Germontit në operën “La Traviata” të Verdit, të realizuar në Gjermani në Festivalin Eutin, Lahaj me të njëjtin rol merr pjesë në Lybeck të Gjermanisë, ku mori kritika të shkëlqyera nga shtypi gjerman, ku e cilësuan si “zbulimi më i mirë i skenës operistike gjermane”.

Në vitin 2012 ai bëri një tjetër debutim në rolin e Rodolfos në “La Boheme” në teatrin e Dortmundit dhe më vonë ai interpretoi të njejtin rol në operën nacionale të Montepellierit në Francë. Gjatë vitit 2013- 2014 kishte një sukses të madh në Sempre Opera të Dresdenit në rolin e Duka di Mantova në operën “Rigoleto” dhe në Royal Albert Hall të Londrës këndoi Rodolfon nga “La Boheme”.

Në mars-prill të vitit 2014 “La Traviata” do të magjepste publikun e operës shtetërore të Hamburgut. Po të njëjtin vit, në Festivalin Puçini në Itali, Lahaj u shfaq në operën “Madam Butterfly” dhe në Central Park të Stokholmit në koncertin memorial për nder të Jussi Bjorling. Në 2014, Lahaj interpretoi rolin e Duka di Mantova në operën “Rigoleto” në Teatrin e Operës së Salzburgut, ndërsa në mars të 2015 u ngjit në skenën e Operës Nacionale Polake në Varshavë./ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: