TIRANE -“Çmimi i Jerusalemit” për shkrimtarin e madh Ismail Kadare ishte një moment krenarie për çdo shqiptar. Gazetarja Rudina Xhunga e ndoqi në Jerusalem mirënjohjen hebreje për letërsinë shqipe. Ismail Kadare dha një intervistë për emisionin “Shqip” në “Top Channel”.
Ishte një ceremoni e jashtëzakonshme ceremonia e çmimit, në YMCA, Jerusalem. Çfarë lloj çmimi është ky në kategorinë e çmimeve të tjera që ju keni marrë?
Është e vërtetë që dimensionet e kremtimit të tij janë shumë të ndjeshme, shumë të fuqishme. Ishte presidenti i vendit, i cili foli relativisht gjatë, gjë e rrallë, dhe foli si profesionist, duke analizuar veprën në mënyrë konkrete. Presidenti paraardhës, ishte gjithashtu njohës dhe mik i letërsisë. Unë e kam takuar disa herë, madje një herë ka bërë diçka të çuditshme. Me rastin e daljes së librit tim “Piramida”, u bë një promovim për botimin në gjuhën hebraishte. U habita kur më thanë, “do ta kryesojë vetë Shimon Perez”. E kryesoi takimin si profesionist, me librin përpara, me nënvizime, duke theksuar anë të ndryshme. D.m.th. në këtë vend ka një traditë shumë të bukur, që çmohet letërsia në nivelin më të lartë. Ky vend ka një status për t’u pasur zili në botë.
Ka një debat të madh për hapjen e dosjeve. Gjithmonë përsëritet ky debat, duket sikur je afër dhe asnjëherë nuk ndodh.
Është një turp që kjo nuk po ndodh. Nuk ka asnjë arsye objektive që të mos ndodhë. Ka shumë avokatë të moshapjes së dosjeve që gjejnë nga mënyrat më meskine për ta përligjur. Disa fillojnë nga një frazë që duhet ta keni dëgjuar shpesh: ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve e kanë mizën nën kësulë. Kjo është një mënyrë shumë dinake, vulgare dhe meskine për ta bllokuar procesin. Njerëzit thonë se, “prit se unë nuk po flas, mos kujtojnë të tjerët se kam ndonjë dosje”. Janë mënyra të ulëta, dekurajuese. “Ç’t’i hapësh? Ato janë prishur të gjitha, janë vjedhur”, thonë të tjerë. Asnjëherë nuk ka hapje dosjesh dhe arkivash, pa nxjerrë të vërteta të mëdha, pa nxjerrë të vërteta të hidhura për një shoqëri. Mirëpo bllokimi që i ka bërë Shqipëria vite me radhë, justifikimet që kanë bërë pseudoanalistët, ndonjëherë mediat, akademikët, kanë një marrëveshje dinake të përgjithshme që kjo gjë të mos ndodhë. Kjo gjë na turpëron, sepse vendet e tjera sidoqoftë, mirë apo keq i kanë hapur; ne jemi në gradën më të fundit në Europë dhe nuk vazhdohet me arsyetime boshe për të kryer një gjë që duhet kryer. Shqyrtimi i ndërgjegjes njerëzore është absolut. Nuk është një luks, është një domosdoshmëri, nuk është një trill a kapriçot; jo, është i detyrueshëm.
Hapja e dosjeve nuk është kuriozitet. Çdo vend që ka shkuar përpara, falë kësaj ka shkuar.
Pse ju mendoni që mund ta çojë përpara Shqipërinë hapja e dosjeve?
Vetvetiu e çon përpara. E nuk është siç thonë disa se, do të ndodhë tragjedi, do të ndodhë armiqësi, do të ndodhë ftohja e madhe. Jo, nuk është e vërtetë! E vërteta, sado e hidhur të jetë, ka logjikën e saj, ka një gjë pozitive brenda.
Në 1999 kam qenë në Paris, në shtëpinë tuaj, ndërsa po bombardohej Serbia; atëherë ju kishit frikën e luftës, por edhe shpresën e krijimit të shtetit të Kosovës. 16 vjet më pas jemi në Jerusalem, ndërkohë Kosova po zbrazet.
Të them të drejtën, unë nuk pretendoj të shpjegoj misteret e kësaj bote, për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt?! Ç’duhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën?! Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet “kushtet ekonomike”; është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar; ta zëmë po ikin filozofët, sepse nuk paska nivel të mjaftueshëm filozofik në Prishtinë, për të zhvilluar idetë e tyre, ose po ikin disa kategori njerëzish të caktuar, që paragjykohen normalisht etj. Këtu po ikin njerëz të të gjitha kategorive, po ikin njerëz të thjeshtë, pleq, fëmijë, gra të martuara, edhe gratë shtatzëna, që është në kundërshtim me atë që thashë në fillim, me ligjin numër 1 të qytetërimit. Çfarë logjike i shtyn? Nuk gjej shpjegim.
Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.
Serbët, sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë. Sigurisht, është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme! Paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish. Nuk besoj kurrë se problemi mund të jetë shtruar se ka qenë problem fetar, që kosovarët ndiheshin keq se u ndaluan xhamitë. Kosovarët ndiheshin keq se i priste burgu, se duhej të flinin natën me shtëpi të hapura që të hynte policia. E gjitha kjo është një mashtrim për të krijuar një alibi kundër lirisë, d.m.th. zëvendësojnë konceptin e lirisë me një koncept fetar, një gjë e pavërtetë krejtësisht. Unë nuk besoj kurrë.
Kombit ju drejtuat në fakt kur ndodhi tragjedia e “Charlie Hebdo”, duke thënë “shqiptarët e kanë mirë të qartë se janë europianë”. Ç’ishte ajo nevojë për të thirrur në atë moment?
Sepse ka një keqkuptim në Shqipëri se çfarë jemi ne. Pas asaj rilindjeje të ndritur shqiptare që u ndërtua e gjitha për dashurinë e Shqipërisë ndaj kontinentit të vet që e kishte humbur dhe e rigjeti, filloi një proces i kundërt, pas rënies së komunizmit: vënia në pikëpyetje se çfarë janë shqiptarët, ç’identitet kanë. A janë europianë apo nuk janë? Kjo është një tezë thellësisht armiqësore. Është teza bazë e Çubrilloviç: shqiptarët nuk janë europianë, duhet të ikin nga Europa. Ai e thoshte hapur: duhet të shpërngulen që të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm. T’u bëjmë thirrje sidomos klerikëve të Kosovës që t’i bindin familjet shqiptare të shkojnë në Turqi, se atje është më mirë për ta se këtu, me nëntekstin që shqiptarët nuk janë europianë. Nëse është e nevojshme, ka thënë Çubrilloviç, të sjellim hoxhë nga Turqia që t’i bindim shqiptarët sa mirë është në Turqi, e t’iu bëhen lehtësimet e nevojshme, me trena, transport etj., madje t’u jepet dhe shpërblim për të ikur. Unë mendoj se është urgjent ribotimi i draftit të tij rreth 40 faqe. Është botuar në kohën e Zogut nga një patriot i madh shqiptar, pikërisht për të parë shqiptarët se çfarë i kërcënon. Është e hidhur kjo që po them, por ky është një projekt i vjetër për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët. Është e njëjta gjë që vazhdon prej qindra viteve.
Po këtij fataliteti, a mos i japin një dorë dhe vetë shqiptarët?
Po, sigurisht! Sigurisht nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht janë ata që e nxisin këtë propagandë që ndodh. Kush shkon shtëpi më shtëpi çdo natë që u thotë “ikni, nisuni, se ju ndihmojmë ne?”. Ç’janë këto agjenci që mbushin autobusë? Nuk e di ky shtet se çfarë po ndodh? Nuk e marr dot me mend. Duhej të rrinte pa gjumë administrata e Kosovës nga kjo gjë, ata që quhen barinjtë e Kosovës, udhëheqësit e Kosovës. Unë nuk e di ç’bëjnë. Ndoshta rrinë vërtet pa gjumë dhe po i akuzoj pa të drejtë.
Po Shqipëria, çfarë roli ka?
Sigurisht, edhe Shqipëria ka përgjegjësinë e saj, për çdo gjë që ndodh me shqiptarët, brenda saj, por edhe jashtë saj. Duhet ta ketë të qartë, duhet të ndikojë. P.sh. ne jemi në Jerusalem, ky qytet i vogël por që merret me tërë botën, ky preokupohet, nuk e zë gjumi, nuk e zë gjumi për hebrenjtë në të gjithë botën. Pse ne të mbyllim sytë, siç po ndodh?!
Në fakt, ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë nëse jemi bashkë, nëse jemi treg, nëse komunikojmë.
Ne nuk dimë shumë gjëra, por së paku të dimë atë që me duart tona të mos e prishim atë çfarë kemi. Shpesh dëgjojmë në shtyp që, ka 5 milionë shqiptarë në Turqi. Kur kanë shkuar këta 5 milionë shqiptarë? Si këta 5 milionë shqiptarë në Turqi nuk paskan një shkollë, nuk paskan një gazetë, nuk paskan një rreth kulturor? Ndodh kjo në botë?
Dhe, pse heshtim për këtë? Se kemi folur pa fund për Greqinë, por jo për Turqinë.
Por edhe Greqia, problemi i çamëve, unë nuk e di sa sqarohet vërtet. Kjo shpërngulje e çamëve, si u bë? Çamëria është katandisur në një gjë të vogël fare, në krahasim me ç’ka qenë. Ndaj duhet përmendur roli i shqiptarëve, roli i marrëveshjeve të fshehta që janë bërë.
Dua të rikthehem dhe një herë te çmimi, çmimi që ju morët në Izrael, fakti që përmendet në gazetat e rëndësishme të Izraelit, se është hera e parë që një mysliman merr çmimin e madh të Jerusalemit.
Ju e dini se unë nuk besoj se do ta merrja çmimin për këtë arsye, nuk besoj se luan ndonjë rol, të paktën për mua jo, për shqiptarët jo. Unë jam një shqiptar dhe kur vjen fjala për besimin fetar, kam një nga katër besimet që ekzistojnë në Shqipëri, por kaq. Me sa duket, për një kategori këtu ka një lloj kuptimi simbolik, kuptimi është pozitiv, është një dëshirë për afrim, dëshirë për mirëkuptim, komunikim.
Ndërkohë, nuk ishte çelësi i fjalimit tuaj fakti se jeni mysliman; çelësi i fjalimit tuaj ishte një keqkuptim i madh ballkanik se kush i mbrojti më shumë hebrenjtë.
Do të përdorja një paradoks të vogël, keqkuptim i bukur do ta quaja, që meriton një urim. Në vend që të bënim sherr se kush denoncoi më shumë hebrenj, një sherr i mbrapshtë, i keq, i turpshëm, po bëjmë një sherr të kundërt: kush i mbrojti më tepër. Në qoftë se ky është një stil i ri vizionimi në Ballkan, do të ishte një gjë e mrekullueshme. Nuk jam kaq optimist sa ta pranoj, por një prirje e mirë është, prandaj unë e përmenda si një prirje pozitive në gadishullin e shquar për prirje negative.
Shqipëria, në fakt, është zyrtarisht e pranuar si një vend që i ka mbrojtur hebrenjtë, nuk ka më dyshime.
Shqipëria, Danimarka, Bullgaria janë 3 shtetet e pranuara zyrtarisht në mbrojtjen e hebrenjve, Shqipëria është në vendin e tre të parëve. Ka shumë shtete që kanë dashur ta marrin këtë status, nuk e kanë marrë. Hebrenjtë janë shumë të kujdesshëm dhe bëjnë mirë që nuk duan të besojnë se nuk ka pasur mbrojtje atje ku nuk ka pasur.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: