Ka qenë këtë të premte seanca e radhës ndaj Kastriot Ismailajt i cili ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit. Vetë Ismailaj që në fillim të seancës i kërkoi trupit gjykues që të mos lejojë kamerat në të kundërt do të largohej pasi nuk dëshironte të shfaqej fizikisht në media.

Por kjo kërkesë e tij nuk u pranua nga gjykata dhe i ndodhur në këto kushte Kastriot Ismailaj është përpjekur të fshehë fytyrën para kamerave. Seanca gjyqësore u shty për më 9 shtator, por jo prej kërkesës së tij, por për shkak të mungesës së avokatit të tij mbrojtës.

Gjatë seancës së radhës pritet të pyeten dëshmitarët Romeo Kara në cilësinë e përfaqësuesit të OSSHE-së, Elvis Mataj si ish-drejtori i kompanisë DIA që administrohej nga i pandehuri Ismailaj dhe ish-kryetari i ERE-së, Petrit Ahmeti. Kastriot Ismailaj akuzohet për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas organit të akuzës, Ismailaj me anë të falsifikimit e mashtrimit ka arritur të përvetësojë nga kompania CEZ-shpërndarje rreth 5 mln euro. S.Musaj

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb