Nga Sejmen Gjokoli”


– E nëpërkëmbur qysh për emër…
Rrallë mund të ketë ndonjë dukuri tjetër shpirtërore apo ndonjë objekt tjetër material nga trashëgimia jonë kulturore të “vuaj” kaq shumë për shkak të termit të emërtimit apo thirrjes se sa kënga vënçe, apo thënë ndryshe me iso, kënduar kryesisht në trevat e jugut, por edhe në zona të tjera ku lëvrohet kjo kategori e folklorit muzikor pa instrumente.
E vërteta është se pas termit tradicional e të hershëm “këngë vënçe”, përdorur rëndom nga të parët tanë, emërtimi “polifoni” ka qenë edhe termi zyrtar që kjo mënyrë të kënduari është quajtur në kohët e mëvonshme deri gati një dekadë më parë.


Më saktë, deri në vitin 2005, kur këtë mënyrë të kënduari institucioni prestigjioz i kulturës UNESCO do ta shpallte “Kryevepër të trashëgimisë gojore të njerëzimit” me termin “Iso-polifonia” shqiptare.


Natyrisht, sikundër do ta mësonim më pas, ky vendim nga strukturat vendimmarrëse të kulturës nën ombrellën e OKB–së nuk do të merrej me një të rënë të lapsit.

Përkundrazi, përmes një dosjeje voluminoze plot argumente e prova dhe një garimi tepër të fortë midis vlerave shpirtërore të sa e sa shteteve të tjera.

Personalisht kur më është dashur të mësoj diçka për termin e ri të certifikuar më ka mjaftuar argumenti se vetëm kështu, ky term, e veçonte polifoninë tonë nga mjaft prej atyre të vendeve të tjera, ku ka qasje e ku emërtohej njëlloj, polifoni.

Pavarësisht se edhe nga njohjet e drejtpërdrejta që kam pasur rastin të kem në disa vende si Moldavi, Lituani, Bullgari, Greqi etj., kam krijuar bindjen se mënyra jonë e të kënduarit është shumë më interesante e krejt e veçantë.
Gjithashtu, si bashkëkohës dhe kontribuues modest në organizimin dhe menaxhimin e kësaj pasurie shpirtërore, më duhet të them se pavarësisht ndonjë zëri mosaprovues të thënë qysh at’herë të gjithë e pritëm me entuziazëm këtë vlerësim e nderim që institucionet e kulturës europiane e botërore i bënë këngës sonë që në fund të fundit edhe “iso”-n e shtuar e kishte pjesë të saj.

E vërteta është se jo vetëm në këtë shkrim, por asnjëherë nuk kam ndërmend të merrem me termat e as të marr përsipër të vërtetën fundore të këtij emërtimi, për mua kjo është dhe mbetet detyrë e studiuesve dhe shkencëtarëve të fushës. Ajo që dua të cek në këtë shkrim është mënyra dhe agresiviteti që herë-herë shfaqet nga ata që kanë mendim ndryshe e që rreken ta trajtojnë këtë problem.

Sidomos, kohët e fundit, kjo kundërshti po merr përmasa tepër agresive e ku nga ndonjë që ka marrë përsipër të behet interpret i këtij mendimi gati sa nuk kërkohet të shpallen “armiq” të popullit ata që kanë punuar me këtë dosje apo dhe ata që kanë respektuar e respektojnë emërtesën zyrtare të shtetit shqiptar, ku veprojnë edhe institucionet përkatëse të kulturës.

Absolutisht nuk them pse ka mendime e trajtesa të tjera rreth opsionit apo vendimit zyrtar, por mendoj se nuk mund të lejohet as për etikë dhe as për konsiderata njerëzore që punonjës të veçantë në administratë apo në fushën shkencore që u takoi të punojnë për realizimin dhe plotësimin e dokumentacionit të kërkuar nga UNESCO të trajtohen në shtyp me etiketime të tilla, duke i cilësuar deri në antishqiptarë.

Arrihet deri aty sa të organizohen peticione të manipuluara e të degraduara nga lloj–lloj njerëzish, madje duke falsifikuar e duke luajtur me firma të mjaft bartësve, krijuesve e organizatorëve të grupeve të dëgjuara nga treva të ndryshme të Labërisë të njohura si personalitete të padiskutueshme në fushën e trashëgimisë shpirtërore.
Por kjo orvatje merr vërtet përmasa komike e aspak serioze, kur në krye të këtyre lëvizjeve vihen njerëz me formim të cunguar intelektual e profesional e kur edhe ndonjë profesor apo ndonjë tjetër me grada e kontribute ose shënohet nga fundi ose dëgjon e shikon nga “frëngjia”.

Këto që po shkruaj kanë ndodhur pak vite më parë aty në kohën e qeverisjes së kaluar dhe në një farë mënyre institucionet përgjegjëse të kulturës nuk mundën ta vendosin pikën mbi “i” duke e lënë ‘litarin” bran, ndonëse për hir të së vërtetës janë bërë disa përpjekje për t’u përballur me shqetësimet.

Disa prej këtyre shqetësimeve duket se janë mbartur edhe për institucionet aktuale të kulturës nga ku, siç thonë, ka dalë edhe një shkresë e cila kërkon që termi “iso-polifoni” të mos përmendet duke rikthyer përsëri termin “polifoni”.
Nuk e kam tagrin e as marr përsipër për të thënë nëse ky udhëzim duhej të jepej apo jo por s’mund të rri pa thënë që më duket shumë e çuditshme që një term që me të lidhet një vlerësim dhe certifikim kaq prestigjioz të zhbëhet pa ju nënshtruar të paktën një diskutimi të thellë shkencor e gjithëpërfshirës.
Në fund të fundit gjykoj se, nëse këto hapa kanë munguar të hidhen në kohën e vendosjes të mos rezultojnë të njëjta edhe në kohën e sprapsjes, ca më tepër kur në mes janë edhe institucionet prestigjioze të kulturës botërore.
Personalisht kam krijuar bindjen se të tjera halle ka polifonia, siç ka në tërësi kultura shpirtërore gjithandej, prej jugu në veri.
Ose, nëse vërtet kjo puna e “isos” përbën një shqetësim madhor e lidhet me fatin e identitetit tonë kombëtar, siç ndonjë përpiqet të thotë at’herë besoj se shteti i ka të gjitha strukturat dhe instrumentet për të folur, diskutuar apo paraqitur punimet shkencore e për të vendosur.

Por kjo kurrsesi nuk mund të lihet në dorën e ca të personave që duke i vendosur grupeve apo shoqatave të tyre emrin polifoni mendojnë se rreth tyre rrotullohet jo vetëm kënga, por edhe vetë bota, ndonëse siç thashë më lart, u mungon edhe kultura më minimale për të trajtuar këto probleme.

Harrojmë se kur flitet për emrin e po të mbledhësh intervista, mendimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Bie fjala, njëri prej krijuesve më të mëdhenj, për të mos thënë babai i stilit muzikor piluriot, “Mjeshtri i Madh”, Lefter Çipa, ka kohë që ka hedhur idenë për ta quajtur polifoninë me termin “fosforinë”, thjesht shqiptare. Kështu i pëlqen këtij burri të papërsëritshëm për kontributet e dhëna për këtë pasuri shpirtërore shqiptare.

Është kjo arsyeja që më shtyn të them se kur duhet të flasim për këtë vlerë të qenësishme shpirtërore të identitetit tonë kombëtar, emri është e fundit gjë që duhet të merremi. E të na shqetësojë. Ca më tepër kur të gjithë e dimë që edhe emri “polifoni” është i huazuar nga fqinjët tanë.

Por thashë nuk dua të bie në vorbullën e debatit të emrit, tjetër gjë më shqetëson e dua ta ndaj me opinionin dhe strukturat që me ligj ngarkohen për kujdesin ndaj vlerave kombëtare.

Kam gati dy dekada që jap e marr me bartës, krijues e interpretues të kësaj vlere të rrallë shpirtërore, kam parë nga afër edhe ndjesitë që përcjell kjo pasuri në skena e mjedise europiane, fuqinë e saj identifikuese e të rrallë dhe më duhet të them se të tjera shqetësime e halle kanë ata që u duhet ta ruajnë, transmetojnë e zhvillojnë.
E nëpërkëmbur në trajtim …
25 Nëntori 2005 ka hyrë në kalendarin e datave të shënjuara si dita e shpalljes së polifonisë nga UNESCO, “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” dhe në respekt të kësaj dite, të paktën siç është thënë, kjo ditë do të shënonte për çdo vit edhe nisjen e një festivali të kësaj gjinie në qytetin e Vlorës.
U tha dhe u bë për disa vjet, më vonë edhe ata që vet e morën vendimin e që vendosën edhe për datat e vendin e mbajtjes e lanë për vete në mes të rrugës.

Zakonisht ka qenë në axhendën e qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike dhe duke lënë mënjanë rezervat për cilësinë e organizimit apo edhe produktin e këtij festivali, sa herë që bëhej të paktën vinte në lëvizje disa burime njerëzore krijuese e interpretuese të këtij zhanri që sa vete e po bëhet më i vështirë për t’u ruajtur e transmetuar.
Të bën përshtypje se me gjithë vështirësitë ekonomike, mjaft prej aktiviteteve kryesore të planifikuara në kalendarin e institucionit qendror të kulturës janë zhvilluar ndërsa Festivali i Polifonisë ka disa vite që nuk është mundësuar. Kështu ka ndodhur më parë, kështu po ndodh edhe këtë vit.
Dhe askush nuk e ngre zërin për këtë anashkalim apo harrim të madh. Mjafton që t’u bëhet “iso” të shqetësuarve për emrin, pa fundja do durohet edhe për festival. Duket se të gjithë janë mbërthyer në dilemën e madhe që si do t’a themi, me “iso” apo pa “iso” të uruarin emër.
Harrojmë përgjegjësinë që kemi si shoqëri, por edhe si shtet për këto vlera që edhe na identifikojnë po edhe na krenojnë mes popujve të tjerë. Pas certifikimit si kryevepër shpirtërore botërore nga institucionet e kulturës ndërkombëtare, të gjithë duhet të bëhemi shumëfish më të përgjegjshëm.

Por mbi të gjitha listimi dhe vendosmëria ndaj realizimit të disa prej veprimtarive që lidhen me ruajtjen, transmetimin dhe pasurimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore, krahas atyre materiale, mbetet kërkesë e kohës. Mbas vitit 2005 këtë polifoninë tonë më është dashur ta krahasoj shpesh me Kullën e Eifelit në Francë. Në fund të fundit kjo është kryevepra jonë e parë.

Unë nuk them që edhe te ne për të mbajtur në këmbë kryeveprën – polifoni të shpenzohen fondet që Parisi shpenzon për mirëmbajtjen e Eifelit, por diçka duhet të bëhet. Kam mendimin gjithashtu se institucionet shtetërore të kulturës mund të përfitojnë dhe të realizojnë më mirë misionin e tyre duke vlerësuar e konsideruar më mirë se deri sot edhe fuqinë dhe energjinë e lëvizjes jo publike në fushën e trashëgimisë shpirtërore. Gjithandej gëlojnë dhjetëra e dhjetëra grupe kënge polifonike, të cilat kanë lindur gjatë viteve të pluralizmit e që mund të shërbejnë si një garanci më shumë, nëse do të ketë ca rregulla në menaxhimin e tyre.

Iniciativa, së fundi, e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike për të krijuar databaze me të dhënat e këtyre grupeve lipset të shoqërohet edhe me ndërhyrje të tjera, jo për censurë e diktat, por për përkujdesje e vëmendje.
Duke qenë se flasim për vlera të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të kulturës kombëtare, mbase ka ardhur koha që edhe në drejtim të shfaqjes apo publikimit të këtyre vlerave, sidomos në mjedise e skena ndërkombëtare, duhet të ketë një përkujdesje më të madhe, e pse jo edhe një filtër.

Se, nuk ka si shpjegohet që edhe për fruta apo zarzavate që tregtohen në një kioskë ka kontrolle për cilësi e standarde, ndërsa për vlerat tona që lidhen me identitetin tonë kombëtar as do t’ia dijë kush.
Dhe dëgjojmë sa e sa këngë e krijime të përçudnuara e pa asnjë lidhje me traditën apo shpirtin e vërtetë të popullit, duke mos pasur asnjë lidhje as me vetë evoluimin që dikton e pranon koha.
Ja pse institucionet e kulturës kombëtare marrin një rëndësi të dorës së parë dhe ja pse, të paktën specialistët e rekrutuar për trashëgiminë shpirtërore, pranë DRKK lipset të jenë njerëz me begraund dhe njohuri të thella në këtë fushë.

Ka ardhur koha që edhe kënga polifonike, krahas vlerave të tjera të kulturës shpirtërore, të vendoset në vendin që i takon jo si një relike muzeu, por në funksion të kohezionit social të shoqërisë, zhvillimit kulturor e ekonomik të saj.
*Specialist i trashëgimisë shpirtërore.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)