NGA: DARINA TANUSHI
Parlamenti shqiptar, gjatë periudhës shta tor-dhjetor 2016, çdo 5- 6 ditë ka miratuar 1 ligj, çdo 4-5 ditë ka bërë 1 amendim ligjor dhe çdo 65 ditë ka miratuar 1 rezolutë. Në këto konkluzione ka dalë Instituti i Studimeve Politike, kryesuar nga Afrim Krasniqi. Në një monitorim që ky institut ka bërë, rezulton se “140 deputetë dhe 20 ministra kanë arritur të prodhojnë vetëm 1 ligj në 5-6 ditë (në javë, përfshirë të dielën). Statistika nuk tregon vetëm varfërinë në praktikat e hartimit të ligjeve dhe në nismat për reforma ligjore serioze, por edhe koston e lartë që taksapaguesit përballojnë për deputetë e ministra, të cilët kanë pasur bilanc kaq minimal të propozimit dhe miratimit të ligjeve të reja”, – shprehet Krasniqi. Sipas tij, “numri i lartë i amendimeve ligjore është tregues i brishtësisë së ligjeve në vite dhe praktikës së ‘arnimit’ të ligjeve, kryesisht për shkak të kontrastit midis ligjeve dhe zbatimit të tyre praktik, ose për shkak të interesave politike ose klienteliste afatshkurtra për të përfituar përmes amendimeve ligjore”.


STATISTIKAT
Gjatë sesionit të parë 2016 parlamenti miratoi 145 akte, rreth 41 më shumë sesa gjatë sesionit të vjeshtës 2016. Konkretisht, gjatë katër muajve të punës në sesionin e dytë parlamentar (shtatordhjetor 2016), Kuvendi ka miratuar 104 akte, nga të cilat, vetëm 22 janë ligje të reja. Ditët rekord të ligjeve në parlament mbeten 10 dhe 27 tetori, gjatë të cilave u miratuan katër ligje pjesë të paketës së reformës në drejtësi. Më shumë akte parlamentare janë miratuar ditën e fundit të punimeve të Kuvendit, më 22 dhjetor, rreth 17 akte, – një tregues se deputetët nxitonin për pushimet e fundvitit dhe mbylljen e sesionit, ndaj edhe treguan vullnet votimi në “sasi” të akteve ligjore, në kontrast të thellë me seancën e parë të shtatorit 2016, kur deputetët votuan vetëm 1 akt parlamentar. Me të njëjtën logjikë, megjithëse në dhjetor 2016 u zhvilluan vetëm 3 seanca parlamentare, nga 4 seanca në tetor e nëntor dhe 5 seanca në shtator 2016, në dhjetor janë miratuar shumë më tepër akte parlamentare sesa në secilin nga muajt e tjerë.


Referuar të dhënave cilësore të akteve, rezulton se numri më i madh i akteve është i natyrës procedurale (rend dite – axhendë, ndryshim në komisione, ndryshim në afate pune etj.). Konkretisht, kjo kategori procedurale zë 32% ose një të tretën e totalit të akteve. Mendimet e ligjeve të ndryshme zënë kategorinë e dytë të akteve, me 26% të totalit. Rreth një e pesta e akteve parlamentare janë ligje (21%). Rezolutat e Kuvendit zënë vetëm 1% të akteve, kurse procedurat zgjedhore (zgjedhjet në KQZ, në Bordin për hapjen e dosjeve etj.), si dhe ratifikimet e marrëveshjeve të ndryshme zënë përkatësisht 9-10% të akteve të parlamentit. Në total kemi 2 rezoluta, 10 procese zgjedhore në parlament dhe 10 ratifikime, 22 ligje, 27 amendime ligjore dhe 33 praktika procedurale vendimmarrëse. Sesioni i dytë (shtator – nëntor 2016) zë katër muaj, 17 javë dhe rreth 130 ditë. Në shifra krahasimore rezulton se parlamenti çdo 5-6 ditë ka miratuar 1 ligj, çdo 4-5 ditë ka bërë një amendim ligjor dhe çdo 65 ditë ka miratuar një rezolutë. Referuar praktikës shqiptare, shifrat nuk janë shumë alarmante, por referuar praktikës së vendeve të tjera më të suksesshme në jetën institucione e demokratike, shifrat janë dukshëm alarmante. Llogaria është e thjeshtë: 140 deputetë dhe 20 ministra kanë arritur të prodhojnë vetëm 1 ligj në 5-6 ditë (në javë, përfshirë të dielën).
(Gazeta Shqiptare)


Etiketa: