Emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por që kanë punuar me kontribute në Shqipëri, mund të përfitojnë pension, edhe pse nuk i kanë plotësuar vitet e punës me kontribute. Instituti i Sigurimeve Shoqërore i ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të sigurohen vullnetarisht për të marrë pagesën e pensionit të pleqërisë, invaliditetit, apo familjar. “Qytetarë emigrantë! Instituti i Sigurimeve Shoqërore ju ofron sigurimin shoqëror vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar”,-thekson ISSH. Ndërkohë kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se pensioni i plotë i pleqërisë përfitohet me 36 vite e 4 muaj punë të siguruar, ndërsa pensioni i pjesshëm kërkon minimalisht 15 vite pune me sigurime. Për të përfituar pension nga shteti shqiptar, emigrantët duhet të paguajnë një pagesë kontributi prej 5184 lekësh në muaj. “Nëse do të parapaguani në fillim të periudhave do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore; 3% mbi shumën për një pagesë 6 mujore; dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore. Ju mund të siguroheni edhe për vitet e kaluara dhe mund të futeni në këtë skemë pa qenë të siguruar më parë. Kontribuoni për të kaluarën dhe të tashmen, t’ju sigurojmë të ardhmen!”,-bën thirrje Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Por nëpërmjet sigurimit vullnetar, mund të përfitojnë jo vetëm emigrantët shqiptarë, por të gjithë qytetarët që jetojnë në Shqipëri e dëshirojnë të kenë një masë pensioni më të lartë se ai që është paracaktuar më parë.

Kushtet e përfitimit
Në skemën e sigurimit vullnetar përfshihen shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; ata që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm; si dhe personat që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore edhe personat që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi ose në rastet kur individi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
“Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin nr. 7703, është përfitues, sipas rastit: i pensionit të plotë të pleqërisë; pensionit të pjesshëm të pleqërisë; pensionit të reduktuar të pleqërisë; pensionit të invaliditetit; pensionit të pjesshëm të invaliditetit”,-thekson ISSH.
Ndërkaq në sigurimin vullnetar, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, bën pjesë edhe pensioni familjar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. Nëpërmjet sigurimit vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme që janë: sigurim vullnetar për vitin korent; sigurim vullnetar për periudha të kaluara; sigurim vullnetar për më shumë të ardhura si dhe sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara
Sigurimin vullnetar për periudhat e kaluara mund ta paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar si dhe shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas universitare është me pagesë. Ndërkohë ky sigurim për periudhat e kaluara mund të bëhet edhe nga shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar si dhe personat që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar por në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Të plotë e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb