​ITALI- Policia italiane ka arrestuar 17 shqiptarë, si të implikuar në trafikun e drogës. Banda e trafikut të lëndëve narkotike u shkatërrua, pas hetimeve disa mujore.

Mediat italiane raportojnë se pjesë e bandës ishin 17 shqiptarë, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur nga ana e policisë. Ata akuzohen për trafik narkotikësh dhe lidhje me krimin. Arrestimet janë kryer në disa qytete, konkretisht në krahinat e Romës, Arezzos, Reggio Emilias, Raguza dhe Leçes.

Guardia di Finanza ka kryer operacionin njëkohësisht në të gjithë rajonet ku ata vepronin, ndërsa urdhër-arrestet janë nxjerrë nga prokurori Giulio Monferini.

Hetimi ka nxjerrë ekzistencën e një strukture kriminale ndërkombëtare për narkotrafikun. Organizata kishte vendosur bazat në Spanjë dhe Holandë për kokainën dhe në Shqipëri dhe Greqi për hashashin ku lënda narkotike vinte për në Itali. Ishin të organizuar që nga trafikimi, puna me drogën, e deri tek mbledhja e parave.

Organizata kishte demonstruar një stabilitet të fortë dhe pse kishte pasur operacione të mëparshme policore. Veç drogës janë gjetur edhe 32 mijë euro cash, 7 autovetura, 1 autokarro, 3 peshore, 1 presë. Janë venë nën sekuestro edhe prona të patundshme në një vlerë prej 600 mijë euro. Policia e Firences publikoi dhe fotot e grupit prej 17 shqiptarësh, por të shoqëruar me inicialet. Mes tyre edhe një vajzë 23 vjeçare.

Gjatë hetimeve janë arrestuar në flagrancë 25 persona të tjerë, ku janë sekuestruar 30 kg kokainë, si dhe 2 ton marijuanë.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb