Itali

Katër shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi akuzohen se kanë kryer së paku 26 vjedhje banesash në rajonin e Toskanës. Hetuesit janë shprehur se kjo është shifra zyrtare për vjedhjet, për të cilat janë gjetur prova, por grabitjet e bandës së përbërë nga shqiptarë mund të jenë më shumë në numër.

Karabinierët e njësisë operative në Firenze vunë në pranga 4 shqiptarët, të moshave 31 deri 39 vjeç, të cilët konsiderohen anëtarë të një bande kriminale që vepronte në fushën e vjedhjeve dhe të apartamenteve, kryesisht të braktisura. Grabitësit, pasi thyenin dyer dhe dritare, hynin në banesa me një shpejtësi të rrufeshme. Gjithashtu, grupi përdorte edhe një magazinë dhe në të vendoste gjërat e vjedhura.

Të dyshuarit u arrestuan midis Pizës dhe Montecatini Terme (Pistoia) më 19 mars, ndërsa ata po planifikonin të iknin jashtë vendit. Hetimi është duke u koordinuar nga zyra e prokurorit të Firences Christine Von Borries dhe filloi janarin e kaluar pas një grabitje në Pontassieve (Firence). Grupi dyshohet se kryente edhe vjedhje të makinave, sidomos luksoze. Hetuesit thanë se janë kryer disa grabitje nga kjo bandë mes datave 7 dhe 10 mars 2019, në komunat Fiesole, Pontassieve, Bagno a Ripoli, në krahinën e Firences, në Montescudaio (Pisa ), Terricciola (Pisa) dhe Collesalvetti (Livorno).

Pas arrestimeve, karabinieria mundi që të sekuestrojë dhe të “kthejë” dy makina të vjedhura, rreth 3 mijë euro të gatshme, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, si ar e flori.

(d.xh/ Balkan Web)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb