ITALI – Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një 17-vjeçare shqiptare, pasi zbuluan se ajo kishte lindur në shtëpi një foshnjë, të cilën pasi e kishte vrarë e kishte varrosur në një park.

Mediat në Itali bëjnë të ditur se vajza shqiptare, rezidente në Padova, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, ka lindur dy javë më parë një bebe të seksit femër, të cilën e ka vrarë mizorisht me thikë.
Krimi është zbuluar më 18 nëntor, kur vajza është paraqitur në spital, pasi kishte hemorragji të brendshme pas lindjes.

Ajo kishte shkuar në spital me një identitet të rremë, dhe u kishte thënë mjekëve se kishte pësuar një abort spontan. Por mjekët lajmëruan policinë, pasi dyshuan se vajza e kishte sjellë në jetë foshnjën e saj, në muajin e 7 të shtatzënisë.

Pas hetimeve, policia zbuloi foshnjën e pajetë në parkun pranë shtëpisë së vajzës. Autopsia e kryer mbi trupin e foshnjës ka konfirmuar për vdekjen e tmerrshme, pas disa goditjeve me thikë në trup.

Sipas policisë italiane, foshnja ishte fryt i dashurisë mes 17-vjeçares shqiptare dhe një bashkëmoshatori të saj 18 vjeç.

Shqiptarja është arrestuar nën akuzën e vrasjes së qëllimshme si dhe për fshehje të trupit të viktimës e deklarata të rreme për identitetin personal.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb