ITALI- Një skenë filmi në autostradë. Kështu e quajnë mediat italiane, një ndodhi tepër të veçantë, që ka ndodhur në Ankona më 12 dhjetor por që është bërë publike vetëm dy ditë më parë.

Një grua ishte duke drejtuar makinën, kur në moment ndihet keq dhe i bie të fikët. Fatmirësisht tre muratorë shqiptarë e shohin, dhe i qëndrojnë pranë me makinën e tyre, për ta mbajtur gruan në korsinë e saj.

Protagonistë të kësaj ngjarjeje janë tre muratorë shqiptarë, 34, 38 dhe 41 vjeç. Ishte ora 10:30 e mëngjesit kur 41-vjeçari papritmas vëren parakalimin e një makinë tip “Peugeot” të zezë që po ecte në mënyrë aspak të sigurt dhe po rrezikonte të bënte aksident.

Pasi 41-vjeçari u afrua në të djathtë të makinës, nuk mundi t’u besonte syve: Drejtuesja e mjetit, një 34-vjeçare, nga Fano, kishte humbur ndjenjat dhe makina po ecte për inerci. Ai mendoi se nuk kishte kohë për të humbur pasi situata mund të kthehej në një tragjedi.

Në këtë moment, shqiptari drejtoi kamionçinën e punës drejt automjetit, duke e shtyrë në anën e djathtë dhe e shoqëroi makinën për të mos dalë jashtë korsisë. Më pas, tre shqiptarët thirrën policinë për ndihmë.

Në vend mbërriti ambulanca dhe patrullat e policisë, që morën në pyetje shqiptarët. Me gjithë dyshimet e shumta, pasi analizuan ngjarjen, ata arritën në përfundimin se ajo që kishin thënë muratorët ishte e vërtetë.

Ndërkohë vajza, pasi u përmend, tha se nuk mbante mend asgjë, dhe se kishte ardhur në vete vetëm kur kishin mbërritur specialistët e ndihmës së shpejtë. Një nga shqiptarët, 38-vjeçari mbeti i plagosur.

(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb