Në Itali, Presidenti Sergio Mattarella njoftoi se disa nga partitë politike i kishin bërë të ditur se kishin nevojë për më shumë kohë për të zgjidhur krizën qeveritare dhe shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe se ai u kishte thënë të ktheheshin përsëri të martën.


Duke folur para gazetarëve të enjten pas bisedimeve dy ditore, zoti Mattarella tha se shpërbërja e parlamentit ishte një vendim që nuk duhej marrë lehtë. Po të enjten, Partia Demokratike e qendrës së majtë vendosi të enjten kushte të vështira për krijimin e një koalicioni me Lëvizjen e 5-Yjeve, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.


Ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës po përballet me trazira politike ndërkohë që qeveria e saj, e gërryer nga grindjet e brendshme, nuk arriti të rezistojë, duke bërë që kryeministri Giuseppe Conte të jepte dorëheqjen këtë javë. Kriza erdhi në një kohë që Roma do të fillonte përgatitjen e buxhetit të vitit 2020.


Rënia e qeverisë u shkaktua nga partia Lega e krahut të djathtë, kreu i së cilës Matteo Salvini e shpalli të vdekur koalicionin qeverisës, duke thënë se nuk mund të punonte më me 5-Yjet, partnerja e tij e koalicionit. Salvini bëri thirrje për zgjedhje, për të përfituar nga popullariteti në rritje, me shpresën se do të kthehet në pushtet si kryeministër.

Ai shpreson gjithashtu të nisë një fushatë të madhe shpenzimesh vitin tjetër dhe të sfidojë rregullat fiskale të Bashkimit Evropian. Megjithatë, synimi i tij mund të mos ketë sukses, sepse kreu i shtetit, Mattarella, do ta shpërndajë parlamentin vetëm nëse është e pamundur të formohet një koalicion tjetër, ndërkohë që tani 5-Yjet dhe Partia Demokratike shikojnë mundësinë e një marrëveshjeje për ta mënjanuar Salvinin. /Voa/