ITALI – Një anije me 700 emigrantë në bord është mbytur në kanalin e Siçilisë, në Itali. Sipas mediave vendase, peshkarexha, rreth 30 metra e gjate, është mbytur gjatë mesnatës teksa i afrohej një anije tjetër për t’i shpëtuar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë natës, 60 milje në veri të Libisë.

Ndërkohë, nga kjo tragjedi kanë mundur të shpëtojnë vetëm 28 persona, ndërsa dyshohet që numri i të viktimave të jetë 700. Anija mësohet se ishte nisur nga Egjipti, dhe sipas informacioneve paraprake, kishte dhënë alarmin SOS në qendrën kombëtare të shpëtimit gjatë mesnatës. Sapo u njoftua për ngjarjen, salla operative dërgoi drejt peshkarexhes një anije për të shpëtuar emigrantet, por sipas dëshmive anija ishte përmbysur, pasi njerëzit që ndodheshin në bord ishin pozicionuar të gjithë në një anë të saj.

Sakaq, nuk dihen ende shkaqet që mund të kenë çuar në fundosjen e peshkarexhës, por nga informacionet paraprake dyshohet se ajo ka qenë e tejmbushur me emigrantë. Sipas mediave italiane, kjo është tragjedia më e madhe në historinë e emigracionit. Ndërkohë që ngrenë pikëpyetje se numri i viktimave mund të jetë më i madh se ai që është deklaruar dëri më tani. Duke iu referuar deklaratave të dhëna nga një emigrant i mbijetuar, gazeta italiane “La Repubblica”, thotë se numri i viktimave mund të shkojë mbi 900.
RENZI: I TRONDITUR, NUMRI I TË VDEKURVE I LARTË
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rendë që ndodhi në brigjet e Siçilisë. “Jam i tronditur nga ajo çfarë ka ndodhur në detin Mesdhe. Shifrat janë ende provizore, por numri i të vdekurve mjaft i lartë”, -tha Renzi.

Në një dalje para mediave, Renzi tha se për tragjedinë e ndodhur janë angazhuar 18 anije shpëtimi përfshirë edhe anije luftarake, si dhe tre helikopterë të marinës. “Shifrat për të mbyturit janë dramatike edhe pse është gjithmonë një tragjedi, edhe kur një person humb jetën e tij”,­ tha kryeministri Mateo Renzi.

REAGIME PËR TRAGJEDINË NË MESDHE

Papa Françesku ka shprehur dhimbjen më të thellë për tragjedinë. Ai i bëri apel komunitetit ndërkombëtar “për të vepruar me vendosmëri dhe në kohë, në mënyrë për të parandaluar që tragjedi të tilla të ndodhin përsëri”. Kryeministri italian Matteo Renzi ka thirrur një mbledhje urgjente pasditen e sotme, pas së cilës do të japë edhe një konferencë për shtyp.

Komisioni Evropian ka deklaruar se ndihet thellësisht i frustruar nga zhvillimet e fundit në Mesdhe,”një situatë “e vështirë që kërkon veprim vendimtar”, tha ky institucion në një deklaratë, duke shtuar se problemi duhet të adresohet “në rrënjë”, pra me vendet e origjinës dhe tranzitit. “I telefonova Matteo Renzi­t për të kuptuar se si ne mund të veprojmë urgjentisht…Kërkova një takim të ministrave të Brendshëm e të Punëve të Jashtme dhe Evropiane””, tha presidenti francez, Francois Hollande.

 

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb