ITALI-Një anije ushtarake malteze dhe një anije ushtarake italiane mbërritën sot në mëngjes me më shumë se 1 000 imigrantë në bord në portet italiane të Pozzallos, në Siçili dhe të Salernos pranë Napolit, njoftuan stacionet televizive italiane.

Në Salerno, një anije ushtarake italiane u ankorua rreth orës 07:00 GMT me 652 imigrantë në bord, që vinin kryesisht nga Afrika sub-sahariane.

Në Pozzallo, rreth 370 imigrantë në bordin e një anijeje ushtarake malteze mbërritën pak më herët. Kapacitetet e pritjes të këtij porti janë tejkaluar dhe imigrantët duhet të transferohen menjëherë në qendrat e pritjes në jug të Italisë.

Tre pasagjerë të dyshuar janë arrestuar.

Rreth 500 imigrantë të tjerë, në bordin e një anijeje tjetër italiane, janë pritur në Palermo.

Ministria e Brendshme iu dërgoi një qarkore të re të gjithë prefektëve të vendit duke iu kërkuar të siguronin menjëherë 9 000 vende pritjeje shtesë për imigrantët e rinj. Plani i ministrisë parashikon një shpërndarje të barabartë të imigrantëve në territor.

Aktualisht, më shumë se 80 000 imigrantë janë pritur në strukturat italiane, 14 000 prej të cilëve janë minorenë.

Italia i kërkoi dje Bashkimit Evropian të marrë masa të rëndësishme përballë fluksit të pandalshëm të imigrantëve në Mesdhe, pasi rreth 6 000 prej tyre janë shpëtuar vetëm në një fundjavë.

(a.n/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: