ITALI– Autoritetet italiane kanë sekuestruar 557 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë,  e cila vinte nga Shqipëria. Gjatë operacionit janë arrestuar dy shqiptarë, të moshave 32 dhe 27 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Sipas mediave italiane, gjatë aktivitetit të përditshëm patrullues, në Brindisi, njësitë e Marinës së “Guardia di Finanza” kanë konfiskuar një gomone të ngarkuar me lëndë narkotike.

Shqiptarët siç shkruajnë mediat fqinje kanë tentuar të kryejnë manovra largimi në det, por përpjekjet e tyre kanë rezultuar të kota.

Operacioni, u ndihmua falë mbështetjes së mjeteve të angazhuara në operacionin “Themis 2018” të Agjencisë FRONTEX,  të cilat kanë mundur të identifikonin një gomone dhe dy skafistë. Pas një ndjekje të shkurtër në det, ata u kapën dhe në gomone u gjet 557 kilogramë marijuanë, e paketuar në 24 pako, përcjell “brindisioggi.it”

Sipas të dhënave të para, vlera e marijuanës përllogaritej në 5 milionë euro, sasi e cila kishte si destinacion tregun italian.

Pas aksioneve të njëpasnjëshme përgjatë vitit 2018 , autoritetet kanë vënë në pranga 39 kontrabandistë , ndërsa janë konfiskuar më shumë se 16 ton drogë e llojti marijuanë nga Guardia Di Finanza në Pulia, por edhe 16 gomone, të cilat përdoreshin për transportin e saj.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb