ROMË– Parlamenti italian miratoi përfundimisht dje në mbrëmje buxhetin e propozuar nga qeveria e Matteo Renzi-t për vitin 2015, që synon njëkohësisht rritjen ekonomke dhe përmirësimin e të ardhurave publike.

Pas Senatit, që kishte dhënë besimin e tij ndaj qeverisë gjatë votës të së shtunës, Dhoma e Deputetëve miratoi tekstin dje në mbrëmje me 307 vota pro dhe 116 kundër.

Teksti parashikon marrjen e masave në favor të familjeve, si mbajtja e bonusit vjetor prej 80 eurosh për ata që rroga nuk kalon 24 mijë euro në vit, apo vendosjen e një bonusi për bebet prej 80 eurosh në muaj për çdo fëmijë që lind pas 1 janarit nga prindër rezidentë të ligjshëm në territorin italian.

Pasi kërkoi sforcime shtesë, Brukslei pranoi në fund të nëntorit këtë projektbuxhet, falë rregullimeve të minutës së fundit, por pa përjashtuar mundësinë që të ketë kërkesa për masa të tjera për reduktimin e deficitit shumë të madh dhe vendosjen e gjobave në rast mosrespektimi të rregullave.

Italia gjendet aktualisht në vitin e tretë të recesionit dhe papunësia arrin nivele rekord (13,2 për qind në nëntor, dhe 43 për qind tek të rinjtë), ndërkohë që borxhi publik kalon 2 100 miliardë euro.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: