Një adoleshent 15-vjeçar, i cili dyshohet se ishte identifikuar plotësisht me ideologjinë neo-naziste, u arrestua sot në qytetin Bolzano, në rajonin Alto Adige të Italisë verilindore.

Sipas autoriteteve italiane, 15-vjeçari ishte gati të kryente një sulm vrasës mbi një të pastrehë jashtë një objekti sportiv në zonë dhe më pas të transmetonte aktin e tij kriminal në “dark web”. Sipas mediave italiane, prokurorët sekuestruan materiale të të arrestuarit, të cilat i referohen grupeve neonaziste dhe sataniste.

Akuzat e ngritura kundër tij përfshijnë pjesëmarrjen në një organizatë që synon aksionin terrorist, prodhimin e mjeteve shpërthyese, mbajtjen pa leje të armëve, posedimin dhe përhapjen e pornografisë së fëmijëve. Adoleshenti dyshohet se ishte anëtar i një grupi ndërkombëtar neo-nazist. Gjatë një bastisjeje në banesën e tij iu sekuestruan dy kompjuterë, si dhe një sëpatë.

Anëtarët e grupit neo-nazist në fjalë thuhet se kishin rënë dakord të organizonin një “javë terrori”. Domethënë të vrasësh një emigrant apo të pastrehë dhe më pas të postosh një video përkatëse në “dark web”.

“Ky rast shkakton shqetësim të madh si për shkak të moshës së personit të arrestuar, ashtu edhe në lidhje me kontaktet e tij ndërkombëtare – të natyrës terroriste – dhe qëllimet e tij,” tha drejtori i policisë së Bolzanos, Paolo Sartori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb