Drejtuesit e qendrave të pritjes së migrantëve në jug të Italisë, përdorën fonde publike për të paguar festa private, për të rinovuar një vilë luksoze dhe për të blerë makina të fundit, deklaroi sot policia italiane.

“25 persona u akuzuan për ndjekje penale, krime që përfshijnë mashtrim, shpërdorim detyre, korrupsion të zyrtarëve publikë dhe fatura të rreme”, theksoi Guardia di Finanza.

Policët shenjestruan tri qendra të pritjes së migrantëve në provincat jugore italiane të Frosinones, Casertas dhe Isernias.

Sipas policisë, drejtuesit e qendrave deklaruan rritje të shpenzimeve të pritjes së migrantëve dhe për këtë patën ndihmë nga zyrtarë publikë, të cilët u shpërblyen me ryshfete ose vende pune për të afërmit e tyre.

Kjo gjë rezultoi me shpërdorim të fondeve publike të përdorura në 18-vjetorin e lindjes së djalit të një prej drejtuesve, punimet për rinovimin e një vile me fushë tenisi, si dhe blerjen e dy makinave të tipit BMW.

Policia ka ngrirë asetet me vlerë rreth 3 milionë euro të të dyshuarve.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb