Më shumë se një ton kokainë u sekuestrua në një kontenier me banane, i mbërritur në portin e Gioia Tauro, në Kalabri, në jug të Italisë, që vinte nga Amerika e Jugut dhe kishte si destinacion Gjermaninë, njoftuan sot karabinierët italianë dhe policia financiare.

“Pas kontrollit, droga prej 1,2 ton, do të kishte gjeneruar të paktën 250 milionë euro”, nënvizoi policia financiare në një komunikatë.

Ministrja e Brendshme dhe ish-prefektja, Luciana Lamorgese shprehu falenderime për drejtorinë rajonale të luftës kundër mafias, për karabinierët e Kalabrisë dhe për agjentët lokalë të policisë financiare për një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës, realizuar në territorin kombëtar.

Operacioni u realizua në sajë të një bashkëpunimi të ngushtë mes karabinierëve dhe agjencisë së doganave të Gioia Tauros, porti më i madh i kontenierëve në Itali.

“Sekuestrimi u realizua si rezultat i një hetimi të thellë nga policia financiare dhe policia doganore në të gjithë ngarkesën”, sipas komunikatës.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb