ITALI – Një shqiptar ka mbetur i vrarë në Itali në tentativë për të vjedhur një banesë në Caserta. Sipas mediave italiane një italian qëlloi për vdekje shqiptarin 40 vjecar sepse sipas tyre po u grabiste banesën bashke me dy persona te tjere. Autoritetet nuk kanë mundur të identifikojnë shqiptarin e vrarë, pasi nuk kishte me vete asnjë dokument identifikimi. Pritet verifikimi i shenjave të gishtërinjve, për të bërë të mundur identifikimin e tij.
Grabitja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit. Tre banditët i afrohen shtëpisë, janë me një BMW të vjedhur, ngjyra e bardhe. Njëri prej tyre, ai që mbeti viktimë, hap me forcë një nga dritaret e katit të parë. Hyn brenda dhe vjedh portofolin e pronarit, disa sende me vlerë, çelësin e makinës tip Audi dhe celësat e portës jashtë dhe del nga dera. Nuk është pikasur deri sa ndeshet me vajzën e pronarit, e cila po hynte në shtëpi pasi kishte kaluar natën jashtë me miqtë e saj.

Gruaja e burrit italian që hapi zjarr tregoi për policinë se, një prej hajdutëve pyeti; “Përse më qëllon?”

“Ishte momenti kur burri im hapi zjarr nga ballkoni. Hajduti po tentonte të largohej me makinë, dhe doli dhe tha, ‘Përse me qëllon?’. Sinqerisht doja ti thoja, “Më të vërtetë e ke këtë pyetje? Po ti përse vjen dhe hyn në shtëpinë tonë ndërkohë që në flemë dhe merr sendet tona me vlerë?”

“Ishte një natë e tmerrshme. Nuk është bukur të qëllosh një person, por ishte e teta herë që na grabisnin në shtëpi. Jemi vërtet të lodhur. Nëse do i njihnim dhe do na qanin hallin e do na bënin të ditur se kanë nevojë për lekë, do i kishim ndihmuar, pa problem do e kishim bërë këtë. Kemi ndihmuar shumë hallexhinj më parë. Por jo banditët. Jo të hysh në shtëpinë e tjetrit, në zemër të natës dhe të trembësh fëmijët”, thotë italiania, gruaja e personit që qëlloi për vdekje shqiptarin.

Gruaja e autorit tregon më tej se, ishte vajza e madhe e cila po kthehej nga një festë që lajmëroi se në shtëpi u kishin hyrë hajdutët.
“Vajza u kthye në orën 3:30 të orëve të para të mëngjesit dhe na njoftoi për prezencën e hajdutëve. Vajza tjetër dhe djali ishin duke fjetur në dhomat e tyre. Edhe unë dhe burri ishim në gjumë dhe nuk kishim kuptuar gjë se hajdutët kishin hyrë në shtëpi. Vajza e madhe tha se po shihte persona të huaj që po dilnin nga shtëpia jonë dhe madje njëri po nxirrte nga vila makinën e babait të saj. Ajo na telefonoi dhe tha që ‘hajdutët ju kanë hyrë në shtëpi. Nga gjuha duken të huaj’.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb