“Qyteti europian i luftëtarëve të ISIS”. Kështu e ka titulluar reportazhin, programi investigativ italian “Le Iene” (Hienat), duke vënë në qendër të vëmendjes Kaçanikun, qytetin kosovar, me një popullsi prej rreth 30 mijë banorë, nga i cili janë rekrutuar 30 luftëtarë për në shtetin islamik.

Gazetari i “Le Iene” ka kontaktuar me familjen e Lavdërim Muhaxherit, që cilësohet si një pikë kontakti për të gjithë personat që rekrutohen nga Ballkani. Në banesën e familjes Muhaxheri, pranë zonës së stacionit të trenit në Kaçanik, vëllezërit e Lavdërimit, besojnë se videot ku ky i fundit ekzekuton njerëz janë një montazh dhe theksojnë se Lavdërimi nuk është një egërsirë por një njeri.

Në intervistat e marra në kafen në qendër të qytetit, banorët e cilësojnë guximtar, ndërsa ka nga ata që thonë se në Siri kanë shkuar më shumë se 100 banorë të kësaj zone.

“Le Iene” thotë se Kaçaniku është një bazë rekrutimi për në Siri, duke iu referuar edhe një tjetër figure, atij të terroristit të njohur si AL-Kosova që kërcënoi shqiptarët në një nga videot e ISIS. Nëna dhe motra e tij, theksojnë se ai nuk ka shkuar në luftë për para dhe mbrojnë aktin e AL- Kosovës.

“Le Iene” është ndalur edhe në xhaminë e zonës, ku Imami thekson se në Kaçanik, Islami praktikohet në mënyrë më radikale e Muhaxherin e quan një terrorist.

I fundit në reportazhin e programit investigativ italian është Faiku babai i dy djemve që shkuan për të luftuar në Siri, e njëri prej të cilëve ka mbetur i vrarë.

Faiku thotë për “Le Iene” se nuk ka qenë në dijeni dhe kundërshton veprimin e ndërmarrë nga djemtë, duke theksuar se nuk është xhihad por krim ajo që po ndodh në Siri. Faiku akuzon disa imamë ne Kosovë se manipulojnë fëmijët dhe adoleshentët për të luftuar në Siri.

“Shehit je nëse lufton për të mbrojt vendin tënd, nëse jo je mercenar”, ka thënë Faiku.

Ai ka udhëtuar deri në Alepo për të kthyer mbrapsht të birin, çka ka qenë e pamundur, e rrëfen se ka parë skena makabre.

Reportazhi përmbyllet me një mesazh shumë të fortë mbi atë çfarë po ndodh në Siri e me gjerë se kaq.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb