Alarmet e motit ‘të kuq’ dhe ‘portokalli’ në të gjithë Italinë pritet të qëndrojnë në fuqi deri të martën. Një valë e motit të keq ka shkatërruar pjesë të Italisë dhe Francës qendrore, me stuhi dhe reshje të dendura shiu që pritet të godasin jugun e Italisë deri të martën.
Rajoni italian i Emilia Romagnas deri më tani është goditur më keq – me më shumë se 160 milimetra shi që kanë rënë në qytetin e Bolonjës. Një person ka vdekur pasi një makinë u përfshi nga një valë përmbytjeje në qytetin e afërt të Pianoro, dhe në Castel Maggiore ushtria u dërgua për të mbështetur Departamentin e Zjarrfikësve dhe Mbrojtjen Civile në shpëtimin e banorëve.
Më shumë se 300 ndërhyrje të zjarrfikësve u kryen në Emilia Romagna, veçanërisht në Bolonjë, ku përrenjtë Ravone, Savena dhe Zena, si dhe lumi Icice, dolën nga shtrati. Banorët u evakuuan edhe në komunën e Cadelbosco di Sopra pas vërshimit të përroit Crostolo, një degë e lumit Po.
Në ishullin italian të Siçilisë, shërbimet e urgjencës shpëtuan njerëz nga çatitë e ndërtesave dhe automjeteve të bllokuara, pasi shiu i dendur shkaktoi përmbytje. Në provincën e Agrigentos, lumi i fryrë Salto depërtoi brigjet e tij në disa vende, duke përmbytur një pjesë të qytetit bregdetar të Licata. Në Firence, lumi Elsa i Toskanës gjithashtu shpërtheu brigjet e tij dhe banorët janë këshilluar të shmangin udhëtimet jo të rëndësishme.
(Balkanweb)