TIRANË

Gjykata e Durrësit vendosi të lejojë ekstradimin drejt Italisë të Hajri Seferit, i cilësuar si një prej krerëve të grupit të Shijakut, që u godit në kuadër të operacionit të koduar “Volvo 4”.  Seferi kërkohej nga drejtësia italiane prej vitit 2016, kur gjykata e Firences caktoi ndaj tij masën e arrestit me burg për trafik të narkotikëve në kuadër të organizatës kriminale dhe pastrim të parave.


Pak muaj pas arrestimit në Shqipëri, autoritetet italiane kërkuan ekstradimin e tij.  Cështja në fjalë u shqyrtua në fshehtësi tëplotë dhe me datë 17 prill gjyqtari Paulin Ceraj, vendosi të pranojë kërkesën për ekstradim. Në vendimin e firmosur prej tij, gjyqtari shprehet se është në dorën e Ministres së Drejtësisë të vendosë nëse do ta ekstradojë ose jo Seferin, teksa ai po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, për disa vepra penale. Për këtë shkak, i dyshuari Seferi dhe avokati i tij kërkuan rrëzimin e kërkesës për esktradim. Për momentin dosja pritet të shqyrtohet nga gjykata e Apelit të Durrësit dhe nëse vendimi mbetet në fuqi, është në dorën e ministers Gjonaj të vendosë për fatin e Hajri Seferit.

Por a rrezikon të rikthehet precedenti Nezar Seitit ? Nuk është e largët dita kur Gjonaj vendosi të lejojë ekstradimin e Seittit drejt Italisë, duke injoruar faktin se ai po hetohej nga prokuroria për Krime të Rënda në të njëjtën dosje me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri.

Ekstradimi i Seitit u konsiderua i paligjshëm dhe prokuroria e Durrësit nisi hetimet për të identifikuar përgjegjesit. Asokohe institucioni i akuzës pranoi zyrtarisht se ka shkelje, të cilat ishin të karakterit administrativ dhe jo penal, e në këtë mënyrë shpëtuan nga burgu zyrtarët e lartë në Ministri, prokurori dhe burgje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb