Ditën e djeshme u mblodh në Romë Samiti i 4-t ndërqeveritar midis Italisë dhe Turqisë, ku u nënshkruan 11 memorandume mirëkuptimi, si dhe një deklaratë e përbashkët.
“Samiti është mbledhur në një kohë zhvillimesh të rëndësishme në shkallë rajonale dhe globale, siç janë lufta Ukrainë-Rusi, debatet në zhvillim mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, si dhe tregtinë ndërkombëtare, situata e rëndë në Gaza, sfidat e vazhdueshme si migrimi i parregullt dhe ndryshimet klimatike, duke bërë thirrje për një përgjigje koherente dhe bashkëpunim efektiv”, thuhet në deklaratë.
Palët nënvizuan rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve midis BE-së dhe Turqisë, duke marrë parasysh statusin e kandidatit të Turqisë për anëtarësim.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Georgia Meloni, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan shprehu besimin e tij se Italia, e cila e ka mbështetur përpjekjen e vendit për anëtarësim në BE “që nga fillimi”, do të vazhdojë ta bëjë këtë.
“Italia dhe Turqia, si aleatë të NATO-s dhe partnerë në G20, do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e tyre të ngushtë në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Si dy vende partnerë strategjikë, Erdogan tha se lidhjet midis dy kombeve janë përmirësuar që nga samiti i tyre i parë ndërqeveritar në vitin 2008. Ankaraja do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Italinë, e cila ka bërë përparim të konsiderueshëm në industrinë e mbrojtjes, përmes partneriteteve dhe projekteve të reja.
Me një bilanc të shkëmbimeve tregëtare prej 30 miliard dollarësh nga takimi i vitit 2022, gjatë samitit Ankaraja dhe Roma vendosën një objektiv të ri të vëllimit të tregtisë dypalëshe prej 40 miliardë dollarësh
“Në kontekstin e sigurisë së Evropës, u trajtuan zhvillimet e fundit në Ukrainë. U theksuaa mbështetja për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Si një aktor kyç në sigurimin e sigurisë së Detit të Zi, Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje.”
Duke vënë në dukje se të dy vendet japin kontribute të rëndësishme për paqen dhe stabilitetin global në Evropë dhe më gjerë, në deklaratë theksohet nevoja e rritjes së bashkëpunimit përmes “konsultimeve të rregullta në të gjitha nivelet”.
Të dy vendet riafirmuan marrëveshjen e tyre për të mbajtur samitin ndërqeveritar rregullisht dhe për të thirrur samitin e pestë në Turqi.
Së fundmi, u nënshkrua një protokoll paraprak midis Baykar, një prodhuesi kryesor turk i dronëve, dhe Leonardo, një nga kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në Evropë.
