Nga: ORNELA MANJANI

Qeveria italiane i fal Shqipërisë 20 milionë euro borxhe, të cilat do të përdoren për të financuar investimet publike në rajone të ndryshme të vendit. Qeveria miratoi dje vendimin, i cili zyrtarizon konvertimin e borxhit sipas marrëveshjes së nënshkruar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ambasadori italian, Alberto Cutillo. Ky është programi i dytë i faljes së borxhit. Më parë, qeveria italiane i ka falur Shqipërisë 20 milionë euro të tjera, të cilat kanë financuar gati 42 projekte në shkallë vendi, si shkolla, spitale apo projekte infrastrukture. Miratohet vendimi për “Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për Konvertimin e Borxhit për Zhvillim”.
Vendimi
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për “Ratifikimin e Marrëveshjes për Konvertimin e Borxhit (IADSA 2) ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë”. Marrëveshja e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim parashikon mospagimin e detyrimeve që Republika e Shqipërisë i detyrohet qeverisë italiane kundrejt borxhit të huazuar prej kësaj të fundit (interes + principal), deri në shumën 20 milionë euro. Këto shuma do të depozitohen në 9 këste, në një Llogari Fondi Kundërparti pranë Bankës së Shqipërisë. Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim është i orientuar në financimin e projekteve të identifikuara bashkërisht nga palët nëpërmjet thirrjeve periodike për propozime, duke pasur si objektiv promovimin e kohezionit social, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Marrëveshja për fazën e dytë të programit – IADSA 2, miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave në nëntor 2015, u nënshkrua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo në 17 qershor 2016.
Investimet
Në fazën e parë të programit janë financuar gjithsej 42 projekte për një vlerë totale prej 15,6 milionë euro. 14 projekte janë përfunduar me sukses, 17 projekte janë në zbatim, ndërsa 11 projektet e përzgjedhura nga thirrja e katërt (maj 2016) janë në fazën e tyre fillestare. Përmes projekteve të finalizuara dhe atyre në fazën përfundimtare të realizimit është mundësuar rikonstruksioni në mënyrë bashkëkohore i 5 shkollave, 3 kopshteve dhe 3 qendrave sociale në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rikualifikimi nëpërmjet rrugëve të reja, urave të vogla dhe kanalizimeve n? disa bashki t? vendit. Ministria e Financave bën të ditur se 4 projekte kanë ndërhyrë në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe turistike duke rritur punësimin dhe vetëpunësimin në zonën e Përmetit, Barmashit, Skraparit dhe Vaut të Dejës. Ndërkohë në sektorin e shëndetësisë ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të Qendrës Kombëtare të Gjakut, e cila sot është pajisur me mjete dhe aparatura bashkëkohore në Repartin Onkologjik të QSUT, me blerjen e pajisjeve të reja për kemioterapi dhe përmirësimin e ambienteve dhe së fundmi në sistemin e dixhitalizimit të recetave dhe diagnostikimeve mjekësore.
Bashkitë
Në sektorin social është ndërhyrë në Bashkinë e Fierit me rikonstruksionin dhe pajisjen e një qendre ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe në Shkodër e Tiranë nëpërmjet përmirësimit të kushteve në 4 struktura të shërbimit social kombëtar për fëmijët dhe të moshuarit. Hapësirë kanë gjetur edhe inkubatorët e biznesit, duke financuar rikonstruksionin dhe pajisjet për 2 të tillë, në Korçë dhe Tiranë. Arsimi profesional është financuar nëpërmjet 2 projekteve që parashikojnë blerjen e makinerive të reja, ristrukturimin e ambienteve dhe trajnimin e personelit në 2 shkolla profesionale, përkatësisht në Durrës dhe Shkodër. Në maj 2016 u përzgjodhën 11 projekte fituese të thirrjes së katërt, të cilët do të përfitojnë një financim prej rreth katër milionë euro, projekte të cilat u përgjigjen nevojave konkrete të target-grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare. Shtrirja gjeografike e projekteve prek pak a shumë të gjithë vendin dhe ndërhyn në sektorë me një prioritet të lartë për secilën nga bashkitë e financuara. Ndërtimi i qendrave funksionale për të rinjtë në Bashkinë e Shkodrës, Hasit dhe Këlcyrës; krijimi i një strukture rezidenciale për të moshuarit në Bashkinë e Libohovës, rikonstruksioni i teatrit në Bashkinë e Fierit, ndër më të vjetrit në Shqipëri dhe pasurimin me ambiente të reja, ku të rinjtë e qytetit mund të kryejnë aktivitete rekreative.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb